Nga: ASTRIT KOSTURI*
Banaliteti i politikës shqiptare shfaqet me përmasa acaruese për popullin dhe njohësit e politikës, sa herë vijnë ato, që i quajmë fushata zgjedhjesh Njeriut të thjeshtë, krahas halleve dhe problemeve të shumta, që sa vijnë dhe i shtohen përditë, i duhet të ikë diku larg, për të mos u bezdisur kaq shumë prej të shumtëve llapaqenë, që recitojnë artin e tyre të mashtrimit, për llogari të marrjes së votës. Të fyer e të poshtëruar ndjehen intelektualët dhe të gjithë ata, që njohin politikën si shkencë, përballë pazarxhinjve dhe bandave votëbërse, përballë atyre që u punon goja si një makineri që pret vetëm fjalë të pa lidhura me mendimin, konceptet dhe idetë për shoqërinë.
Si gjithnjë në zgjedhjet lokale, popullit i duhet të votojë në dy fletëvotimi: Në njërën do të shfaqë pëlqimin për kryetarin apo kryetaren e bashkisë, që do administrojë e menaxhojë hallet e tij, dhe në tjetrën do gjejë partinë, prej të cilës do të përfaqësohet më mirë në Këshillin e Bashkisë, që realisht është parlamenti lokal, që me vendimet e tij, lehtëson ose vështirëson jetën e tij. Të parët janë të paktë në numër, kryesisht të preferuarit e padronëve të politikës dhe të “pavarurit” (që duken nga shpenzimet dhe aksesi mediatik, sa të pavarur janë), që i serviren popullit për t’i votuar. Ndërsa të dytët janë shumë!… Janë ata, që kanë gjetur një sigël partie dhe turren me metodat e tyre, për të bërë aq vota sa u duhen për të qenë këshilltarë. Të preferuarit apo të tjerët të “pavarur” e siglamanë, kanë vetëm një devizë: Të fitojnë! Nuk u duhet asgjë më tepër, se sa aftësia për të bërë vota, duke e vënë nën siklet e trysni, mikun e farefisin, por dhe kalimtarin e rastit.
Kjo e ka banalizuar politikën dhe i ka vënë ndërkëmbë intelektualët dhe kryesisht idealistët, por dhe ka fikur njëkohësisht shpresën e shqiptarëve në përgjithësi. Kështu, ndërsa shqiptarët ikin në mënyrë masive prej Shqipërie, politikanët kërkojnë vota për 21 qershorin, për pushtetin e tyre, të quajtur lokal, aq sa njerëzit neveriten prej kërkesës së tyre banale, “voto për mua”!…
Që këtu, përderisa nuk paraqiten platformat e munguara politike dhe ekonomiko – sociale, duket se nuk ka ndryshim real të pritshëm, por vetëm hipokrizi e premtime të radhës, që vijnë si përherë në këto 25 vjet prej atyre që duhet të ishin ndëshkuar. Prej atyre që në mënyrë agresive propagandojnë përmes gjithë televizioneve, nga mëngjesi e deri natën vonë, vetëm hipokrizi dhe gënjeshtra të trasha e të neveritshme, duke menduar se e kanë nënshtruar popullin e tyre.
Kjo është bërë acaruese dhe e padurueshme, tallëse e banale, por populli sërish do të shkojë të votojë!… Do të votojë, se zonës së tij i duhet një “administrator”, sa për të marrë një certifikatë, apo për t’u vetëmashtruar prej pritjeve të kryetarit a kryetares së re, dhe ndonjë fjale të mirë shpresëdhënëse prej tyre. Populli do ta votojë njërin apo tjetrin mik të preferuar të padronit politik, sepse kaq mundësi i ofrohet edhe kësaj radhe!
Ai do të shkojë në votime, pavarësisht prej thirrjeve të dëshpëruara, të atyre që nuk patën këllqe të marrin pjesë në këtë maskaradë zgjedhore, të montuar edhe prej tyre. Po të ishin në rrugë të drejtë, ata që e “duan” kaq shumë atdheun dhe bëjnë be e rrufe për ngjyrat e flamurit, duhet të kishin protestuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të rregullave të tjera të garës elektorale, jo tani pas pilafit, duke bërë protagonistin dordolec. Por, ky është fati i aleancave të urdhëruara dhe të dirigjuara nga ustallarët e padukshëm!…
Pra, populli do të votojë, sepse do ta çojnë tek kutitë e votimit, ata të interesuarit, që nesër do quhen këshilltarë, por që në fakt janë parlamentarët zonalë, “përfaqësuesit” e popullit të atyre zonave. Po cilët janë këta?!… A janë vërtetë përfaqësues të popullit, apo njerëz që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit?!…
Ajo që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe ndjekësve të politikës, është shembulli i dhënë prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që u bënë të tillë, prej bizneseve të fëlliqura!…
LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve) nuk është kundër biznesit e biznesmenëve, por preferon idealizmin dhe humanizmin, sepse populli do të ndjehet i përfaqësuar në Këshillat e Bashkive (parlamentet lokalë), kur të zgjedhë idealistët dhe jo pazarxhinjtë e votave!
Prandaj, ajo që është në dorën e njeriut të lodhur prej premtimeve e mashtrimeve 25-vjeçare, mbetet të refuzojë “të fortët” që bëjnë vota, duke qenë i bindur që politikës shqiptare i duhen idealistët, njerëzit e urtë e të mençur.!
Realisht deri më sot, nuk ka një rreshtim politik, apo shtresëzim klasik të shoqërisë, sipas kritereve të mirënjohura, në mbështetje të së majtës apo të së djathtës, por mendojmë se kësaj amullie dhe çorientimi politik duhet t’i jepet fund, aq sa të ketë diferencë dhe të dallohen qartë këto dy alternativa të veçanta zhvillimi për shoqërinë.
Personalisht, besoj tek intuita dhe fuqia deri diku mistike e popullit, i cili siç ndëshkoi PD-në e pakorrigjuar deri tani, duhet të ndëshkojë LSI-në, PS-në dhe partitë e tjera të pushtetit, duke i lënë në minorancë në Këshillat e Bashkive.
Vota për LDSH-në, tek fleta e votimit ku janë rreshtuar subjektet politike, është zë dhe forcë për njeriun e zakonshëm dhe interesat e vendit!
Kështu, Këshillat e Bashkive (parlamentet zonale), ku merren vendime të rëndësishme do të ndalin abuzimin dhe arbitraritetin e kryetarëve të kësaj korporate ekonomiko-politike e mediatike, të montuar prej politikës 25-vjeçare, e cila flet ditë-natë për dekriminalizim, që do të thotë se është e kriminalizuar!
Edhe pse përballë politikës si pazar, ndjehemi të kotë e të fyer, përsëri duhet të flasim e ta ndalim këtë situatë korruptive e banale, që e çon vendin dhe shqiptarët keq e më keq.
Duhet të kemi kuptuar, se për më shumë se dy dekada, ky absurditet dhe ngatërrim mes të majtës dhe të djathtës ka ndodhur dhe mbahet në këmbë, sepse vetë partitë, nuk janë ngritur mbi kritere të diferencuara dhe nuk funksionojnë, dhe as u intereson t’ i respektojnë këto principe programore e morale, pavarësisht se e quajnë veten të majta apo të djathta.
Ky ekuivok kapërcehet, vetëm me ndershmëri e vendosmëri ndaj interesave të shoqërisë, për t’i trajtuar dhe zhvilluar çështjet madhore që preokupojnë sot shumicën, me qartësi politike dhe pa mëdyshje.
Thelbin dallues të këtyre dy alternativave e përbën qëndrimi lidhur me raportin mes të pasurve dhe të varfërve, si dhe zgjidhjet që i japin programet e tyre krizës së masave popullore, që tashmë ka marrë përmasa kaq globale.
Kjo krizë globale, e sjellë nga ajo që një ekonomist i shquar amerikan e quan “kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur”, po risjell edhe një herë në vëmendje të ekspertëve raportet mes të pasurve dhe të varfërve, detyrimet që kanë këto shtresa ndaj shoqërisë dhe detyrimet që vetë shoqëria ka ndaj tyre.
Me fjalë të tjera, pabarazia sociale po thellohet në atë shkallë sa po shihet me shqetësim dhe nga vetë përfaqësuesit e oligrakisë politiko-financiare, të cilët do të donin një shoqëri më pak të disniveluar, për t’u ndierë më mirë në komoditetin e pasurisë së tyre.
Nëse në njërin krah, ky disnivel po shton në përpjesëtim të shpejtë ndjenjat antikapitaliste, në krahun tjetër, po shton përpjekjet e atyre që kanë miliarda për ta bërë më njerëzore pasurinë e tyre, aventurën e tyre të kamjes dhe disproporcionet sociale, duke “falur” diçka nga “shumica e gjërave” që zotërojnë.
Në këtë mes, në këtë raport të ndërlikuar, hyn politika dhe pikërisht politika e spektrit të majtë (për fat të keq, politika mashtruese), pasi gjithmonë në raste krizash e recensionesh, e majta është më afër halleve të atyre që vërtet kanë hall, për hir të ruajtjes së miliardave.
Nëse në botën e sotme ekziston pa barriera një rikthim populist tek e majta politike, sidomos në kushtet kur ekonomia globale vazhdon të shkatërrohet dhunshëm nga kriza e sjellë prej tejkalimeve më të rënda të sistemit, në Shqipëri kjo orë jo vetëm që ka ardhur por nuk mban më.
Çdo vonesë do të ishte një humbje kohe dhe bjerrje e stërzgjatur në tunelin e krizës shumëvjeçare, ku e ka zhytur vendin një politikë amatore dhe infantile.
Për këtë arsye efekti politik parësor i krizës ekonomike ka sjellë një përshpejtim të ardhjes së të majtës në pushtet në Europë dhe kudo gjetkë, përmes lëvizjeve të reja popullore e politike, të cilat synojnë që të ngushtojnë sa të jetë e mundur më shumë, hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Në Shqipëri ky hendek është aq i thellë dhe vazhdon të thellohet çdo ditë me ritme të tilla klithëse, në sajë të qeverive me të papërgjegjshmit e radhës, sa duket se vija ndarëse po bëhet e egër dhe agravuese.
Në kushtet e reja ku gjendet njeriu shqiptar, në krizë dhe dëshpërim, në vend që t’i drejtohet një modeli, shansi a mundësie, të cilat duhet t’i shohë së pari e mbi të gjitha tek nëpunësi i administratës, tek njeriu i shërbimeve qytetare, (por në vend të kësaj sheh korrupsion dhe dallavere) shpesh i drejtohet rrugës më të lehtë e më të rrezikshme, krimit ordiner, vjedhjes, vrasjes, keqbërjes.
Kur të gjitha këto kriza shkatërrojnë vetëkënaqësinë e njerëzve, cilësinë e jetës së tyre, reagimi i parë nuk është revolucioni, por paniku, i cili çon drejt rikthimit në zanafillë; tek shqetësimi depresiv për të patur një strehë dhe ushqim për fëmijët.
Kjo shfaqet sot me ikjet masive të shqiptarëve, pa e ditur se ku po shkojnë!!…
Sepse, në Shqipëri kriza nuk ka ku të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një nëntëdhjeteshtatë tjetër.
Prandaj, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve të radhës, jo vetëm për shkak të konsumimit të trishtë të një pushteti abuziv nga të ashtuquajturat, e djathta dhe e majta, por dhe për shkak të gjithë këtij kompleksiteti faktorësh nacionalë e gjeopolitikë globalë, është koha e riformatimit të së majtës. Është ora e një kulture të re politike, e një politike me moral ndryshe!…
Ajo që duhet theksuar është se zgjedhjet pa zgjidhje, në një terren ku politika është hanxhar në duart e oligarkisë, nuk mund të jenë kurrë një barkë shpëtimi për shoqërinë, prandaj mbetet shans e shpresë vetëm organizimi politik i popullit, që do shfaqet pas rezultateve të subjekteve politike në këto zgjedhje.
Pra, duhet nisur thuajse gjithçka nga fillimi, por në rrethanat e një votëbesimi popullor, kur konturohen fijet e shpresës, shoqëria e ndjen nga brenda ndryshimin, përgatitjet për ta përqafuar këtë ndryshim dhe për ta përkrahur atë.
Duhet të ndodhë ajo që Karl Poper, një sociolog dhe politolog i shquar e quan “katharsisi kolektiv”, identifikimi i shoqërisë që pret të jetë objekt dhe subjekt ndryshimi me protagonizimin politik të këtij ndryshimi.
Përfundimisht, LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptareve), i ka shanset të ngrihet mbi këtë mentalitet antipopullor, të rrënojë muret e izolimit të politikës nga populli dhe të ndërtojë një urë të fortë midis politikës dhe shtresave të gjëra sociale të shoqërisë, duke u bërë një shërbëtore e interesave të njerëzve të këtij vendi, që o sot o kurrë, lypset të dalë, më në fund, nga kthetrat e këtij tranzicioni primitiv e të stërzgjatur deri në neveri.
Pra, po shpresojmë, që kur votuesi të ketë në dorë fletën e votimit ku janë subjektet politike, të shpreh pakënaqësinë dhe zemërimin ndaj partive të pushtetit 25 -vjeçar, duke votuar ndryshe!…

*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: