Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka folur nga Shkodra për zgjedhjet e 25 prillit. Meta thtoë se në krye të marshimit do të jetë pikërisht kryeqendra e veriut për të cilën thotë se ka qenë dhe është frymëzim për demokracinë edhe në kohët më të errëta.

Meta thekson se vendi është në udhëkryq, por do t’ia dalë me sukses falë ndërgjegjësimit të qytetarëve se vota është gjëja më e shenjtë.

Ilir Meta: Sot bëhen tre dekada nga 2 prilli i vitit 1991, kur katër djem nga më të mirët e Shkodrës dhe të Shqipërisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, u vranë pabesisht, pikërisht sepse ishin të vendosur në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira.

Sot në Shkodër, jo vetëm nderojmë kujtimin e tyre të paharruar, por angazhohemi për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, për zgjedhje të lira dhe për fjalën e mendimin e lirë, sepse Shqipëria ende vuan mungesën e tyre.

Fatkeqësisht, Shqipëria ende vuan nga fenomeni i partisë-shtet dhe nga kapja e shtetit, që ka mbajtur peng edhe procesin e integrimit europian prej kaq vitesh.

Ndaj është momenti që të gjithë të nisemi drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për ta rivendosur vendin në shinat e Kushtetutës dhe të demokracisë, sepse në themel të Kushtetutës sonë qëndron pluralizmi politik, zgjedhjet e lira dhe vota e lirë dhe e barabartë e çdo qytetari të kësaj Republike.

Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë si gjithmonë, sot akoma edhe më shumë, në krye të këtij marshimi, sepse ka qenë zemra dhe frymëzimi për demokracinë edhe në kohët më të errëta të vendit.

Të bëjmë çdo gjë për suksesin e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që do ta ndërtojmë mbi sakrificat e martirëve të 2 prillit, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre, të cilët në emër të fjalës së lirë, të demokracisë, por edhe në emër të lirisë së besimit u martirizuan gjatë së shkuarës së errët totalitare

Pyetje:  Zoti Meta për herë të parë një drejtues i lartë me bindje të majta vjen për të nderuar 2 prillin. Pse e zgjodhët? Ka 30 vite, asnjë drejtues i majtë nuk ka qenë në Shkodër.

Presidenti Meta: Unë kam pasur ftesën si President i Republikës nga Shoqata “2 prilli” dhe kam bërë çdo gjë për të qenë sot i pranishëm këtu, sepse ky është një moment tepër i rëndësishëm jo vetëm sepse është një përvjetor i rëndësishëm, por mbi të gjitha, sepse vendi është në një situatë kritike. Është në një udhëkryq nga i cili jam i bindur se ne do të dalim me sukses, falë ndërgjegjësimit tashmë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë se vota është gjëja më e shenjtë që ata kanë.

Pyetje: Zoti President, një nga emrat që familjarët kanë akuzuar për 2 prillin është edhe Gramoz Ruçi. A ndjeni ju faj që me votat tuaja është zgjedhur kryetar i Kuvendit? A keni sot një ndjesë për familjet e katër dëshmorëve?

Presidenti Meta: Unë çdo përgjegjësi dhe çdo problem që kam do ta shlyej duke qenë në krye të mbrojtjes së demokracisë dhe të votës së lirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë më 25 prill.

Sot do të nderojmë edhe kujtimin e Havzi Nelës. Kështu do të nderojmë edhe kujtimet e të gjithë atyre klerikëve të jashtëzakonshëm patriotë të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, që u martirizuan nga regjimi më totalitar.

Pyetje: Zoti Meta, pak më parë ishte zonja Topalli në homazhe. Ju akuzoi ju, zotin Rama, zotin Basha si shkatërrimtarë të vendit, por edhe se 2 prilli nuk u zbulua asnjëherë.

Presidenti Meta: Nuk e di se cila është përgjegjësia ime. Unë jam një student i Dhjetorit. Dhe e kam thënë edhe më parë: Nuk i kam takuar shtresës së nderuar të të persekutuarve politikë, sepse nuk kam qenë i tillë, por kam qenë i bindur në padrejtësinë e atij sistemi që s’mund të tolerohej më.

Gjithmonë kam qenë në anën e demokracisë. Gjithmonë kam qenë në anën e zgjedhjeve të lira. Gjithmonë kam qenë pro integrimit evropian.

Asnjëherë nuk kam qenë për kapjen e shtetit dhe zëdhënës i kapësve të shtetit.

Pyetje: A po bëni rolin e liderit të opozitës?

Presidenti Meta: Nuk jam këtu të caktoj rolin e askujt. Unë jam këtu që t’i bëj të qartë çdo qytetari të Shqipërisë se ai është zot i vendit të tij dhe kjo gjë materializohet përmes votës së tij, sepse për të folur edhe gjatë komunizmit nuk është se shkodranët dhe shqiptarët nuk kanë folur. Ju e dini që edhe atëhere qarkullonin shumë barcoleta apo jo?
Por pamundësia për të votuar na solli atje ku e dini të gjithë. Tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme, kemi votën tonë, prandaj fuqinë e kësaj vote ta përdorim për të mbrojtur demokracinë, të ardhmen, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë, për të mos lejuar më largimin e shkodranëve, të vlonjatëve, për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vende të tjera. Se do të mjaftonte një fshat i Indisë për të zëvendësuar gjithë shpopullimin e Shqipërisë. Ju faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb