TIRANË

Në një fund të takimit me kreun e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, iu bëri thirrje udhëheqësve të politikës shqiptare, që të sigurojnë një proces të qetë zgjedhor më 25 prill.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kim u ndal dhe te ngjarja që tronditi një ditë më parë Elbasanin dhe mbarë vendin, te vrasja e Pjerin Xhuvanit, për shkaqe politike, duke thënë se të gjithë janë të shqetësuar nga ajo që ndodhi.

Më tej, kryediplomatja amerikane theksoi se gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në të shkuarën, duhet të mbeten pas, pasi sipas saj, këto janë zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë.

“Të gjithë jemi të shqetësuar nga lajmi i asaj që ka ndodhur dje, është e rëndësishme që shkelësit të mund të kapen që të gjithë të ndëshkohen pa përjashtim. Nuk ka një trajtim të posaçëm apo të veçantë për askënd, sepse askush nuk është mbi ligjin.

Sikurse e kanë theksuar shumë persona, zgjedhjet e 25 prillit kanë lidhje me të ardhmen, jo me të shkuarën. Gjëra të tilla të tmerrshme siç kanë ndodhur në të shkuarën, si grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, duhet të mbeten në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtare e NATO dhe aspiron të futet në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve, që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, të bëjnë thirrje për qetësi, të sigurohen që do të ketë qetësi dhe të mos ketë nxitje për asgjë tjetër që nuk ka lidhje me qetësinë.

Ne jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e marra nga drejtuesit e vendit. Falënderoj z. Rama dhe z. Basha, që kanë bërë thirrje për qetësi dhe që të mos pranohet dhuna, si dhe që të mund të votohet më 25 prill. Me lejoni të theksoj atë gjë që e kam thënë që kur kam ardhur në Shqipëri, dëshiroi t’iu drejtohem votuesve shqiptarë: Ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju”, tha ambasadorja Kim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb