ELBASAN- Ndonëse më shumë se 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare, në Elbasan duket se janë ndezur motorët e fushatës elektorale dhe gara më e fortë është ajo mes PS-së dhe LSI-së. Këtë e konfirmojnë edhe deklaratat e bëra nga deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe deputeti socialist Taulant Balla, raporton “BalkanWeb”.

Ndërsa dje Kryemadhi shkruante në “Facebook” nga Rrajca ku u prezantua studimi i ujësjellësit të ri të zonës, ‘se politika është përfshirë në debate dhe pseudo-reforma duke harruar detyrimet ndaj njerëzve’, sot i është përgjigjur Balla po nga Elbasani.

Pa harruar ironinë, deputeti socialist e quan Kryemadhin miken e tij që po bën opozitë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në Elbasan, Balla tha se, ‘Monika po bën opozitë edhe për dikasteret dhe agjencitë që janë përgjegjësi e partisë së saj’.

“Se di çdo bëjë opozita në qarqet e tjera po në Elbasan ajo ka filluar fushatën! Do thoni ju që mikja ime Monika nuk është opozitë! Po e keni gabim, sepse Monika bën opozitë edhe për dikasteret apo agjencitë që janë përgjegjësi e partisë së saj në qeveri. Ja për shembull, shkon në Shushice e thotë s’është bërë asgjë për bujqësinë, ndërkohë që partneri ynë ka edhe Ministrinë edhe agjencinë e pagesave për fermerët. Ose u thotë ju ka lënë qeveria pa ujë, ndërkohë që drejtorinë e ujësjellësit për atë zonë e ka një figurë e partisë së Monikës. Kështu që mos ia qani hallin opozitës, të paktën për Elbasanin, se në Elbasan opozita ka filluar fushatën”, deklaroi sot Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb