Bashkia e Vorës është një prej njësive vendore ku votohet për kryetarin e Bashkisë. Në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se në 22 qendra votimi në Vorë, KZAZ nuk emërojnë kryetaret e PD, por vetëm sekretarët. Ata po e ndjekin procesin vetëm si anëtarë.

“Në disa QV pati marrëveshje, ndërsa në disa të tjera procesi nisi me 2 orë vonesë. Pati një debat mes anëtarëve të një QV. Një zonjë e moshuar kërkonte ndihmën e një familjari për të votuar, por nuk u lejua dhe iu tha se mund të ndihmohej nga stafi. Ka pasur një debat verbal”, raportoi Bezat.

Ndërkohë përfaqësuesi i PD, Blerim Kollcaku tha se anëtarët e tjerë të KZAZ e bllokuan procesin e kandidatëve të propozuar për komision, me pretendimin se nuk janë të zonës. “U zvarrit puna dhe nuk u arrit të mbyllej puna në kohën e duhur. Kemi 24 orë pa gjumë, duam të shkojë çdo gjë mirë, kemi dhe pak mungesë dokumentacioni për shkak se erdhën shkresat shumë vonë dhe nuk kishim kohë fizike për t’i plotësuar, por çdo gjë do rregullohet me udhëzimet nga KQZ.

Kishte debate të vogla, por më në fund arritëm ta zgjidhnim. Debatet ishin për propozimet tona për anëtarë, kryetarë të komisioneve”, tha ai.
Në një Qendër Votimi, procesi nuk ka nisur deri në orën 09:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb