TIRANE– Akademiku Artan Fuga i ka bërë thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të mediave që të vëzhgojnë dhe raportojnë atë që ai e quan “katrahurën e 4 shtatorit”, e cila përkon me zgjedhjet në Akademinë e Shkencave.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Fuga kërkon që të monitorohet ky proces.

POSTIMI I PLOTE

Të nderuar gazetarë dhe drejtues të mediave!

Jini të pranishëm, vëzhgoni dhe raportoni katrahurën e 4 shtatorit, të hënën, pra, ora 11°° në Akademinë e Shkencave!
————————–

Më lejoni t’Ju falenderoj për raportimin e plotë dhe të ndershëm, me ndonjë përjashtim të papërfillshëm, të çështjes që kam ngritur këto ditë për farsën zgjedhore që po organizon Akademia e Shkencave, për krizën e thellë të kërkimit shkencor në Shqipëri, dhe që është mekanizmi që mbulon faktet që tregojnë se Akademia e Shkencave, por jo vetëm ajo, nuk është në pozicionin e duhur, në ritmin e duhur, në gjallërinë e duhur dhe në rezultatet e duhura!

Po kalbet!

Por, përkundrejt, atyre që duan t’a shohin të shtrirë, të zhdukur, të shfarosur Akademinë nga faqja e dheut për interesat e tyre meskine dhe mediokre, unë luftoj që ajo të ringrihet.

Po, patjetër, është e mundur të ringrihet me dhimbjet që kërkon ky proces, por edhe me pasionin që kërkon! !

Por, ndërkaq duhen reforma të thella e të vështira, por që zjejnë në mendjet e mjaft akademikëve të penguar, që ajo të vihet në shinat që duhen për t’u bërë lokomotivë e mendimit dhe e kërkimit shkencor shqiptar!

Duhet të dalë me dhimbje dhe jo pa vështirësi nga kalbëzimi i sotëm që vjen nga larg e nga thellë!

Por, hapi i parë është të ndalet katrahura e të hënës, 4 shtator, ora 11°°, ku do të zhvillohen zgjedhjet e ku nënkryetari bëhet kryetar dhe kryetari bëhet nënkryetar!

Letra ime drejtuar kreut të ekzekutivit, për të ndihmuar që kjo katrahurë të mos ndodhi, është ende pa asnjë përgjigje!

Unë i refuzoj ato zgjedhje dhe nuk do të marr pjesë në to!

Detyrën e denoncimit të tyre e kreva me ndihmesën Tuaj! Sidoqë të venë punët, unë Ju siguroj se nisur nga tetori i ardhshëm betejën time do ta vazhdoj sepse nuk jam vetëm, por edhe me kolegë të tjerë shumë të nderuar dhe shumë më të zotët sesa unë!

Ftoj edhe kolegët e tjerë akademikë të mos i pranojnë këto zgjedhje! Ne kemi përgjegjësi për fatet e Akademisë të Shkencave! Askush nuk ka të drejtën e çfarëdolloj alibie!

Por, Ju lutem gazetarëve dhe drejtuesve të medias që t’a mbështesin deri në fund, sikurse e kanë nisur me kaq dinjitet, betejën për t’a reformuar Akademinë e Shkencave.

Katrahura ka nevojë të raportohet dhe këtë veç jush nuk mund ta bëjë askush tjetër!

Unë e bëra punën time, bëheni tani edhe ju punët Tuaj!

Ju lutem të jeni të pranishëm në zgjedhjet e 4 shtatorit, në ora 11, te Akademia e Shkencave, për të vëzhguar, konstatuar dhe raportuar në shërbim të publikut atë që do të ndodhi. Unë mbaj përgjegjësi për ato që Ju kam thënë dhe që ju keni raportuar:

1. Zgjedhje e të njejtëve drejtues pa bërë bilancin e punës së tyre personale në mandatin që u përmbyll. Asnjë material i paraqitur prej tyre deri tani!

2. Zgjedhje pa platforma strategjike drejtimi për mandatin e ardhshëm!

3. Zgjedhje pa bërë transparencën e pastërtisë morale të akademikëve sikurse institucioni ka kërkuar!

4. Zgjedhje pa përpunuar dhe hyrë në fuqi rregullorja e re që është bllokuar nga kryesia prej kohësh dhe me zvarritje!

5. Zgjedhje ndërkohë që nuk është përpunuar kuadri ligjor dhe sistemik i kërkimit shkencor në Shqipëri. Një kryesi që nuk e ka lejuar Akademinë të dali me një material zyrtar dhe të aprovuar nga Asambleja për reformimin e saj!

6. Zgjedhje pa lejuar debatet dhe thjesht duke detyruar akademikët që të votojnë në heshtje sipas urdhërit të dalë nga kryesia.

7. Njollosje e procesit të zgjdhjes të Akademikëve të rregullt të rinj në po atë ditë që bëhen zgjedhjet katrahurë duke lejuar konfuzione konflikti interesi e hapur fusha studimesh sipas njerëzve dhe jo përzgjedhur njerëzit sipas fushave të reja studimore, pa një studim dhe reflektim bazuar në stadin e sotëm të shkencave shqiptare!

8. Zgjedhje me një platformë të institucionit që është dogmatike, e çoroditur, me mbetje të ideologjive totalitare, dhe krejt larg metodave të administrimit të shkencës dhe kërkimit shkencor në kohët e sotme.

9. Zgjedhje pa kandidatura rivale. Mungesa e kandidaturave rivale tregon në thelb se komuniteti akdemik i ka refuzuar këto zgjedhje që i ngjajnë, pa të drejtë përzgjedhjeje kandidatësh alterbnativë, zgjedhjeve që na kujtojnë diçka!

Prania juaj të dashur miq gazetarë të medias të shkruar dhe të televizionit, si edhe të të gjitha mediave on line, do të ishte një akt emancipimi edhe i rolit të medias në vëzhgimin demokratik të punës të institucioneve!

Askush nuk mund t’ju ndalojë të raportoni atë që do të ndodhi në Asamble sepse Ju keni statusin e lartë të gazetarit dhe Akademia është një institucion publik i detyruar të jetë transparent dhe i hapur dhe pastaj të raportoni drejt dhe vërtetësisht !

Publiku që është njohur masivisht dhe masivisht i interesuar për çfarë keni raportuar deri tani, kërkon të dijë se çfarë ndodhi në fund, a pati apo jo rezultat debati publik që ju përcollët denjësisht, në mënyrë që të ndalohet shkatërrimi i Akademisë të Shkencave!

Unë kërkoj edhe si miku dhe punonjës i fushës Tuaj dolidaritetin Tuaj që ka qenë pa kufij, por që nuk duhet lënë në mes!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: