Kandidatja presidenciale franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen mbajti tubimin e saj të fundit të fushatës ditën e enjte teksa përpiqet të rrëzojë presidentin Emmanuel Macron në zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen në dy raunde më 10 dhe 24 prill.

Sondazhet e fundit të opinionit sugjerojnë se diferenca midis presidentit aktual dhe rivales të tij më të afërt ka vazhduar të ngushtohet, një shenjë se fushata e saj në çështje të tilla si fuqia blerëse e konsumatorëve ka funksionuar në bindjet e elektoratit.

“Nëse çështja e fuqisë blerëse po ju mbyt sot, është sepse politikanët e mëparshëm ju kanë varfëruar, kanë bërë që llogaritë publike të shemben dhe madje i kanë futur fëmijët tanë në borxhe për një kohë të gjatë,” i tha Le Pen një turme prej 4000 mbështetësish në qytetin jugor të Perpignan-it. “Nëse Emmanuel Macron do të kishte pasuruar vendin, më falni, atëherë ne nuk do të flisnim për fuqinë blerëse”, tha ajo.

Programi i Le Pen përmban masa të krijuara për të zbutur goditjen e rritjes së çmimeve, si ulja e taksave për faturat e energjisë dhe ajo premton të vendosë 150-200 € në muaj më tepër në xhepat e njerëzve. Kandidatja presidenciale u bëri thirrje njerëzve që të mos qëndrojnë në shtëpi të dielën, por të “marrin përsëri kontrollin” dhe “të shkojnë e të votojnë”, një përgjigje ndaj shqetësimeve se votimi i raundit të parë mund të sjellë një përqindje rekord abstenimi.

“Kurrë nuk ka qenë kaq afër perspektiva e një ndryshimi të vërtetë, por kjo varet nga ju,” tha kandidatja Le Pen. Macron ka humbur pesë ose gjashtë pikë në sondazhet e javës e fundit dhe disa sondazhe e vendosin atë vetëm pak përpara rivales të tij, zakonisht me 26-27% të votave krahasuar me 23-24% të Le Pen. Ndryshe nga viti 2017, kur Macron mposhti Le Pen 66% me 34% në balotazh, një sondazh i IPSOS në fillim të kësaj jave i dha presidentit vetëm një avantazh prej gjashtë pikësh në raundin e dytë prej 53% ndaj 47%.
Presidenti kritikoi ashpër rivalen e tij të enjten në një intervistë për gazetën, duke akuzuar Le Pen për “gënjyerje ndaj njerëzve” me “një program social të pandershëm” që ajo nuk do të ishte në gjendje ta financonte.

Marine Le Pen ka luftuar për çështjet e brendshme, veçanërisht ato që prekin njerëzit që e kanë të vështirë të sigurojnë jetesën dhe një shtresë të mesme të shtrydhur duke anashkaluar disi luftën në Ukrainë. Megjithatë, ajo nuk e ka humbur brezin e saj nacionalist. Në mitingun e së enjtes, ajo vuri në pah edhe një herë emigracionin.

“Unë do t’ia kthej vendin e tonë popullit francez. I takon popullit francez të thotë se kush hyn në vend dhe kush duhet të largohet prej tij,” tha ajo, duke u zotuar se “juridiksionet ndërkombëtare” nuk do të “vendosin më se kush vjen dhe mund të jetojë në Francë.”.
Marc Lazar, Drejtor i Qendrës së Historisë në Universitetin Sciences-Po, tha se disa faktorë kanë çuar në rritjen e popullaritetit të Le Pen. Ajo dukej “më simpatike”, “më pak radikale” dhe me “një imazh personal shumë të mirë”, tha ai për AP.

Gilles Finchelstein, drejtor i think-tank-it të majtë, Fondacionit Jean-Jaurès, argumenton se në balotazhin e raundit të dytë, Emmanuel Macron nuk do të jetë më në gjendje të përfitojë nga “fronti republikan” i zgjedhjeve të mëparshme, përfshirë në 2017, kur shumë nga e majta votuan taktikisht për të mbajtur jashtë ekstremin e djathtë.
Ai i tha AFP se nuk besonte se këtë herë votuesit janë më armiqësorë ndaj Le Penit sesa ndaj presidentit aktual.
“Ajo që është shqetësuese në atë që ka ndodhur në dy-tre javët e fundit, është se ka pasur një riaktivizim të ndjenjës në mesin e votës së majtë kundër Emmanuel Macron”, tha Finchelstein.
“Nuk është aspak si në vitin 2017,” i tha AFP analisti politik Pascal Perrineau, duke kujtuar fitoren e madhe të Macron në raundin e dytë ndaj Le Pen.
“Gjatë kësaj fushate, Marine Le Pen thuajse u zhduk në Francën e padukshme, siç thotë ajo shpesh. Ajo shkoi në fshatra të vegjël, qytete të vogla. Ajo foli me këtë Francë që prezantohet prej disa vitesh si një Francë e periferive që ndihet e harruar. Por këta votues të harruar, do të kujtojnë favoret e së shkuarës në kutinë e votimit”.
Perrineau tha se pasiguria mbi raundin e parë të së dielës ishte “jo e papërfillshme”, me rreth gjysmën e votuesve francezë të pavendosur, më shumë se kurrë më parë.
Shumë në fushatën e Macron kanë frikë se mbështetësit e tij mund të mos shkojnë në qendrat e votimit, sepse ata tashmë mendojnë se ai do të fitojë, ndërsa ata të zemëruar me politikat e tij do të sigurohen që të votojnë.
Si dhe Le Pen, disa kandidatë të tjerë po kërkojnë të sfidojnë ofertën e Macron për një mandat të dytë. Në vendin e tretë sipas sondazheve është figura e majtë Jean-Luc Mélenchon, i cili ka një rritje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb