Aleanca e krahut të djathtë të Benjamin Netanyahu mund të ketë fituar një epërsi të ngushtë në zgjedhjet e pesta të Izraelit në më pak se katër vjet, sugjeruan sondazhet e daljes të martën mbrëma, duke i dhënë atij një shans për t’u rikthyer në pushtet raporton The New York Times.

Sondazhet treguan se partia e Netanyahut, Likud, përfundoi e para me 30 deri në 31 vende, ndërsa blloku më i gjerë i krahut të djathtë fitoi 61 deri në 62 vende, të mjaftueshme për të formuar një shumicë të ngushtë në Parlamentin izraelit me 120 vende.

Partia qendrore e kryeministrit Yair Lapid, Yesh Atid, parashikohej të fitonte 22 deri në 24 vende dhe aleanca e tij më e gjerë 54 deri në 55 vende, ndërsa një parti e paangazhuar fitoi vendet e mbetura.

Sondazhet fillestare janë shpesh të gabuara, veçanërisht në gara të ngushta si ajo elektroale në Izrael dhe e ekzagjeruan rezultatin përfundimtar të Netanyahut në zgjedhjet e fundit në mars 2021. Rezultatet më të qarta mund të dalin të mërkurën në mëngjes ndërsa shifrat përfundimtare mund të shpallen deri ditën e premte, ndërsa drejtuesve të partive nuk do t’u kërkohet të emërojnë një kryeministër përpara javës së ardhshme.

Nëse krahu i djathtë do të arrinte një fitore të ngushtë, kjo do t’i lejonte zotit Netanyahu, kryeministrit më jetëgjatë të Izraelit, të rikthehej në detyrë edhe kur ai është duke u gjykuar për akuzat për korrupsion.

Blloku i Netanyahut përfshin një aleancë të ekstremit të djathtë që kërkon të përmbysë sistemin gjyqësor të Izraelit, t’i japë fund autonomisë palestineze në pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe të legalizojë një formë korrupsioni që zoti Netanyahu akuzohet se ka kryer.

Një fitore e tij do të rrëzonte gjithashtu perden e fundit të një prej qeverive më të pazakonta të Izraelit; aleancën e larmishme prej tetë partish të Lapid, e cila bashkoi kundërshtarët politikë nga e djathta, e majta dhe qendra, dhe përfshinte partinë e parë të pavarur.

Nëse sondazhet fillestare do rezultojnë të jenë të sakta, Izraeli mund t’i ketë dhënë fund një bllokimi politik katërvjeçar në të cilin asnjë lider nuk mund të fitonte një shumicë të qëndrueshme parlamentare, duke e lënë vendin pa një buxhet kombëtar për periudha të gjata dhe duke i kthyer vazhdimisht izraelitët në kutitë e votimit.

Për herë të parë që nga viti 2019, vendi mund të qeveriset nga një shumicë parlamentare e formuar nga një bllok i vetëm i lidhur ideologjikisht dhe duke reduktuar rrezikun e përleshjeve të brendshme në koalicion dhe gjasat për zgjedhje të tjera të parakohshme.

Blloku i Netanyahut e paraqiti votimin si një përpjekje për të ruajtur karakterin hebre të Izraelit. Ai dhe aleatët e tij shënjestruan izraelitët hebrenj të tjetërsuar nga përfshirja e një partie arabe në qeverinë në largim të zotit Lapid dhe të shqetësuar nga një trazirë etnike mes arabëve dhe hebrenjve në qytetet izraelite vitin e kaluar, por nga ana tjetër kundërshtarët e tij i paraqitën zgjedhjet si një përpjekje për të mbrojtur demokracinë liberale të Izraelit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb