KOLONJË- Vijojnë akuzat nga ana e opozitës për zgjedhjet për kryetar Bashkie në Kolonjë. Sekretari Organizativ pranë Partisë Agrare Aambientalist, Gazmir Bizhga deklaroi pasditen e sotme se përfaqësues të maxhorancës dhe militantë iu kanë dhënë para hapur votuesve si dhe iu kanë bërë presion.

“PAA denoncon publikisht blerjen e votës nga ana e eksponentëve të mazhorancës. Konkretisht flasim për qendrën 4040 e cila korrespondon me zonën administrative Çlirim të Ersekës. Pranë qendrës së votimit në fjalë janë vendosur dy tavolina ku persona të caktuar dhe të identifikuar nga ana jonë si persona afër mazhorancës kanë shënuar emrat e votueseve para dhe pas votimit, duke ushtruar presion dhe ajo që është më e rëndë duke dhënë para hapur votueseve. Po ashtu denoncojmë aktet mafioze të një nate më parë ku persona paramilitare të armatosur dhe të maskuar kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj qytetarëve në Leskovik duke u thënë që qyteti është i yni. Kjo ngjarje është shënuar mëngjesin e sotëm rreth ore 02.00 të mëngjesit. Ndërkohë që policia ka qenë inekzistente”, deklaroi Bizhga.

Ai tha më tej, se ‘Thoma Gëllqi, drejtori aktual i RTSH prej dy ditës është në zonën e Kolonjës duke bërë propagandë hapur për kandidatin e mazhorancës’.

“Në zonën e Barmashit militantët të mazhorancës janë evidentuar duke bërë presion për deklarim të hapur të votës në qendrën e votimit. Rezistenca jonë për zbatimin e kodit zgjedhor për fshehtësinë e votës solli edhe një konfrontim fizik ku këta militantë sulmuan përfaqësuesit dhe vëzhguesit e stafit të kandidatit Dritan Hajro. Gjë për të cilën kemi depozituar kallëzim penal”, u shpreh përfaqësuesi i PAA, forcë e cila është në koalicionin opozitar dhe ka zgjedhur edhe kandidatin për kryetar bashkie Dritan Hajro.

Bizhga deklaroi se Policia e Kolonjës ka ushtruar dhe vijon të ushtrojë kontroll në mjetet e mbështetësve të kandidatit Hajro në mënyrë të njëanshme duke ushtruar në këtë mënyrë dhunë psikologjike.

“Sa më sipër të gjitha janë shkelje të rënda të kodit zgjedhor të cilat rrezikojnë seriozisht këtë zgjedhje. I bëjmë thirrje popullit fisnik e të mençur te Kolonjës teë ruajë dinjitetin e tij dhe të mos bjerë pre e shitjes së vullnetit të votës së lirë. PAA do të shfrytëzojë të gjitha resurset e saj që këto zgjedhje të përfundojnë siç e parashikon edhe ligji”, përfundoi ai.

Edhe më herët gjatë ditës përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se ka blerje masive të votës. Nga ana tjetër nga koalicioni i majtë ASHE, deklaroi se PD po krijon alibinë e radhës për humbjen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: