Në listat zgjedhore te partive politike në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, 30 për qind janë gra për shkak të kuotës gjinore prej 30 për qind, ndonëse ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje 50-50.

Gresa Sermagjaj nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha për Zërin e Amerikës se kjo dëshmon mungesën e vullnetit të partive politike për të ofruar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat.

“Vërejmë që në fakt grave u është mohuar e drejta e barabartë e kandidimit pasi që shumica prej partive kanë një numër mesatar diku rreth 33 gra në listë nga gjithsej 110 kandidatë. Në këtë rast nga 110 kandidatë, për të zbatuar këtë ligj dhe për të garantuar këtë të drejtë të barabartë, do të duhej të kishim një minimum prej 55 grave në lista”, thotë ajo.

Situata e tillë që përsëritet në çdo palë zgjedhje, thotë ajo, ka pasoja të shumëfishta në shoqëri e ndër kryesoret është demotivimi i vajzave për të qenë pjesë e jetës politike.

“Ne po flasim për numrin e vogël të grave në lista zgjedhore mirëpo ky është një problem që nuk duhet parë si i izoluar. Më pak gra në lista zgjedhore nënkupton më pak gra në parlament, më pak gra në lista zgjedhore nënkupton më pak gra që janë në gjendje të krijojnë një imazh e figurë më të respektuar përbrenda strukturave partiake, më pak gra në lista zgjedhore nënkupton më pak gra që mund të flasin e ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet në instanca më të larta”, thotë ajo.

Agnesa Haxhiu nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim, thotë se ka një përparim shumë të vogël në këtë çështje nga zgjedhjet e kaluara.

“Vetëm rreth 33.5 për qind e tyre janë gra dhe krahasuar me zgjedhjet e kaluara përkatësisht ato të tetorit të vitit 2019 është vetëm një rritje shumë e lehtë, rreth një për qind, pra atëherë ka qenë diku te 31 për qind edhe kjo rritje ka ardhur kryesisht për shkak që lëvizja Vetëvendosje e ka shtuar numrin e grave, ata i kanë diku 37 për qind të listës të përfaqësuar nga gratë”, thotë ajo.

Derisa të mos harmonizohen dy ligjet, ai për zgjedhjet dhe ai për barazi gjinore, gratë do të vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara thotë ajo.

“Kjo ka qenë në fakt ajo çfarë ne kemi kërkuar vazhdimisht si Demokraci në Veprim, që në kuadër të reformës zgjedhore kurdo që ajo të ndërmirret, të përmirësohet edhe kjo çështja e kuotës gjinore dhe të harmonizohen këto dy ligje në mënyrë që KQZ-ja të ketë kuadër ligjor ku të thirret kur e bën certifkimin e listave të kandidatëve”, thotë ajo.

Në Kosovë organizatat që trajtojnë çështjet e barazisë gjinore shprehin shqetësimin me përfshirjen e paktë të grave në politikë dhe posaçërisht vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim të kësaj kulture si domosdoshmëri për zhvillim të demokracisë në vend.

Në procesin e kaluar zgjedhor 39 gra arritën të kenë një vend në parlamentin e Kosovës, 13 prej tyre me kuotën gjinore dhe 26 me numrin e lartë të votave.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb