Teksa dje u vendos nga KQZ që të bëhej rinumërimi i 494 vendvotimeve në kuadër të zgjedhjeve që u mbajtën në Kosovë, ky proces vijon edhe sot. Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme. Arsyet e rinumërimit të këtyre vendvotimeve u kategorizuan në katër grupe kryesore.

E para; gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur cilësohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.

E dyta; është përmendur se gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të jenë si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.

Arsye e tretë; në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

Ndërsa arsye e katërt u tha se në 83 vendvotime të tjera, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas. Në përgjithësi, numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është 506 vendvotime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: