Anëtarët e LSI-së po voton këtë të shtunë për forumet drejtuese që do të përcaktojnë strukturat drejtuese të partisë.

Procesin nga afër është duke e ndjekur ish-deputetja dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila në një prononcim për News 24 foli për një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në këto votime, për të zgjedhur ekipin fitues, siç shtoi të zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ky është procesi më i rëndësishëm i rizgjedhjes së strukturave për LSI. Këtu do zgjidhet ekipi fitues që do ta çojë LSI drejt fitores së zgjedhjeve të 25 prillit. Pjesëmarrja është e kënaqshme, ka energji dhe vrull. Risia që sjellim për anëtarësinë është votimi on line”,- tha ajo.

Gjosha shtoi se në zgjedhjet e LSI po zbatohen masat anticovid, ndërsa shtoi se vota e LSI vjen në masë nga gratë dhe nga rinia.

“Kjo na jep forcë të luftojmë edhe për to. 25 prilli do jetë një ditë shumë e madhe, do arrijmë një fitore të padiskutueshme. Kush nuk ka mundësi të votojë on line apo të aksesojë qendrat e votimit ne kemi përgatitur të rinj me tabletë që t’ju japim një mundësi që edhe ata të zgjedhin të preferuarin e tyre”,- tha ajo.

FJALA E PLOTE
Ky është procesi më i rëndësishëm i ristrukturimit dhe rizgjedhjes së strukturave të LSI. Këtu do zgjidhet ekipi fitues që do ta çojë LSI-në drejt fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.

Është një proces i jashtëzakonshëm që ka një energji pozitive, që ka shumë rini, që ka shumë gra dhe vajza. Ka një pjesëmarrje shumë të mirë dhe shumë të kënaqshme. Të mos harrojmë që jemi vetëm në orët e para të mëngjesit dhe e gjithë anëtarësia e LSI është drejtuar jo vetëm drejt qendrave të votimit, por edhe nëpërmjet votimit online, një risi që në e sjellim këtë herë, ku e gjithë anëtarësia jonë në këto momente mund të votojnë online nëpërmjet aplikacionit Bashkohu.lsi.al.

Të gjithë kanë kodin e tyre nga ku mund të futen dhe më pas të votojnë për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ashtu edhe për të zgjedhur delegatët. Është risi sepse ne u ofrojmë këtë mundësi votimi edhe atyre që nuk janë në Shqipëri, por që janë anëtarë të LSI.

Kjo ka një domethënie shumë të madhe, pasi ti mund tu mundësosh atyre që nuk mund të vijnë dot në shtëpinë e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Ky aplikacion jo vetëm ndihmon të votojnë ata që nuk mund të jenë dot në Shqipëri, por edhe ata anëtarë, që të mos ketë dyndje në qendrat e votimit, duke qenë se jemi në një kohë pandemie. Por kam parë nga ana tjetër, që në qendrat e votimit, kemi parë persona të cilët i bëjnë thirrje anëtarëve që të ruajnë distancën, të vendosin maskat.

A i keni dhënë një rëndësi më vete këtij procesi? Pra zbatimit të masave të pandemisë?
Patjetër që kjo ka shumë rëndësi, sidomos në këto momente dhe në të gjitha qendrat e votimit ka persona të posaçëm që merren me organizimin, që të kujdesen që qytetarët dhe anëtarët tanë të mbajnë distancën e sigurisë kur të drejtohen në kutitë e votimit, të mbajnë maskën. Të gjitha këto janë pjesë e procesit dhe për ne kjo është shumë e rëndësishme. Në LSI ka një shtyllë kryesore që është fakti që mes delegatëve ne zgjedhim gjithmonë gra dhe vajza në kuotën 50 për qind. Kjo është diçka që sado mundohen partitë e tjera, LSI ka qenë pararojë dhe e ka futur këtë si pjesë të sajën që nga viti 2012. Kjo ka një domethënie të madhe në mënyrën sesi ne bëjmë politikë, se si ne i qasemi qytetarëve, se si politika jonë në fakt është shumë herë më pranë familjeje se çdo parti tjetër në këtë vend. Ndaj edhe vota jonë është gjithmonë nga gratë dhe vajzat dhe vjen në masë edhe nga rinia. Kjo për ne është e jashtëzakonshme, na bën të ndihemi mirë dhe na jep edhe forcë për të vazhduar për të luftuar për to.
Jam e bindur që 25 prilli do jetë një ditë shumë e madhe, do arrijmë një fitore të padiskutueshme.

E përsëris edhe njëherë, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të votojë on line apo të aksesojë qendrat e votimit, ne kemi përgatitur të rinj me një tabletë që t’ju japim një mundësi që edhe ata të zgjedhin të preferuarin e tyre, duke shkuar në banesat e tyre, kudo ku jetojnë apo ku ato janë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb