SHKUP-Nga 98% e votave të numëruara, partia e Nikola Gruvskit kryeson. Partia e drejtuar nga Nikolla Gruevski ka fituar 38.96 për qind të votave, ndërsa Zoran Zaev 36.65 për qind, referuar rezultateve që komisioni i zgjedhjeve ka publikuar bazuar në numërimin e rreth 98 për qind të votave.

Sipas komisionit zgjedhor VMRO-DPMNE ka 388.761 vota, LSDM 368.144, BDI 75.122, Levizja BESA 49.225, Aleanca për Shqiptarët 30.501, dhe PDSH-ja 26.975.

Sipas rezultateve të fundit VMRO rezulton se ka fituar 51 ulëse në Parlament, e pasuar nga Lidhja Social¬Demokrate e opozitës me 49 deputetë, BDI 10 deputetë, Lëvizja “Besa” 5, Aleanca për Shqiptarët 3, dhe PDSH-ja 2 deputetë. Sipas këtyre rezultateve shqiptarët rezultojnë se kanë humbur 7 mandate në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numërimi ka vonuar pikërisht për shkak se ka një rezultat tepër të ngushtë në mes të VMRO-DPMNE-së së Nikola Gruevskit dhe LSDM-së së Zoran Zaevit. Rezultatet e deritanishme, diku rreth 97 për qind të votave të numëruara tregojnë se dallimi në mes të këtyre dy partive është më pak se dy për qind në të favor të VMRO-së.

Sa u përket partive shqiptare në këto zgjedhje, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka humbur shumë nga mbështetja që kishte në zgjedhjet e kaluara, por prape ka arritur të mbetet e para, duke fituar shtatë për qind të votave.

E dyta, është Lëvizja e re politike shqiptare në Maqedoni e quajtur BESA që ka marrë rreth pesë për qind të votave. Kurse, si e humbur në këto votime është Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, që ka fituar vetëm dy për qind të votave.

Ajo që ka befasuar në këto zgjedhje sa u përket shqiptarëve në Maqedoni, është numri i madh i tyre që kanë votuar për partinë maqedonase, LSDM. Sipas mediave në Maqedoni janë diku rreth 70 mijë shqiptarë që kanë votuar alternativën socialiste maqedonase.

Pas zgjedhjeve, liderët e partive politike kanë shpallur rezultate e tyre, dhe në të dy kampet maqedonase, edhe VMRO edhe LSDM, kanë thënë se janë fitues.

Gjithsesi, përkundër rezultateve që nuk dihen të sigurta, një gjë është e sigurt deri tani. Shqiptarët në Parlamentin maqedonas do të kenë më pak deputetë se në legjislacionet e kaluara, pikërisht për shkak të shpërndarjes së votës në disa parti të vogla.

GRUVSKI: KJO ËSHTË FITORJA E 10
Lideri i VMRO-së, Nikola Gruevski shprehet i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni, ndërsa nuk ka nguruar që të shpall dhe fitoren. Gruevski në një deklaratë për mediat ka folur si kryeministër i ardhshëm.
“Maqedonia ka zhvilluar sërish zgjedhje demokratike, ku qytetarët votuan dhe e thanë mendimin e tyre. I falënderoj të gjithë votuesit, sepse ata kontribuuan që Maqedonia të kalojë zgjedhjet në një atmosferë demokratike. I falënderoj posaçërisht votuesit e VMRO-së, sepse nga rezultatet e deritanishme, udhëheq bindshëm ndaj LSDM-së. Kjo është fitorja e dhjetë me radhë dhe për të dhjetën herë me radhë, u dënua LSDM. U mbështet Programi i VMRO-së dhe do të punojmë që kjo mbështetje të realizohet tërësisht. Ditët në vazhdim, do të ndalim krizën dhe do të diskutojmë koalicionet. VMRO do të jetë gjithmonë me njerëzit dhe gjithmonë do të punojë në interes të shtetit dhe kombit. Çfarëdo që do të ndodhë, ne do të mbetemi në linjën kombëtare dhe shtetërore dhe në interes të qytetarëve. Nuk do të lëvizim asnjëherë. VMRO në këto zgjedhje kishte kundërshtarë të fortë. Nuk e kishte vetëm LSDM-në, por edhe të tjerët. E dimë se me kë. Për këtë arsye, kjo fitore ka arsye të veçantë për ne. Ajo që shihet tashmë nga numërimi i 86 për qind të votave, numri i votave të VMRO-së është numër konstant, por surpriza ndodhi te elektorati shqiptarë. Në këto zgjedhje, LSDM pati mbështetje të fuqishme nga elektorati shqiptarë, ndërsa ditëve në vijim, do t’i analizojmë këto numra”, tha Gruevski.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb