Rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj në një postimin në rrjetin social “Facebook” ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni duke e konsideruar një lajm jo të mirë rënien e numrit të deputetëve shqiptarë. “Zgjedhjet në Maqedoni kërkojnë qetësi dhe maturi për tu interpretuar. Rënia e numrit të deputetëve shqiptarë është një lajm jo i mirë. Kjo duhet të rrit përgjegjësinë e faktorit shqiptar për zhvillimet pas zgjedhjeve. Faktori shqiptar duhet të kushtëzoj reduktimin e pabarazive midis etnive në standartet e zhvillimit ekonomik dhe social”, – shkruan Malaj.

Sipas tij “zgjerimi dhe garantimi i lirive politike dhe ekonomike, reduktimi i çdo pabarazie politike, ekonomike dhe shoqerore, promovimi i kohezionit social, eleminimi i qëndrimeve radikale, promovimi i paqes dhe rritja e prosperitetit, duhet të jenë kollonat morale dhe politike të angazhimit të shqiptarëve në zhvillimet e ardhshme politike dhe ekonomike në Maqedoni”, – shkruan Malaj.

Rektori i Universitetit “Luarasi” argumenton mandej se “zhvillimet politike në Ballkan kurrë nuk duhen konceptuar dhe përafruar me modelin e pranverës arabe. Ai model vërtetë largoj nga pushteti diktatorët por nuk po ndërton dot akoma sisteme politike që sjellin qëndrueshmëri politike dhe zhvillim social. Churchilli na ka paralajmëruar (në vitin 1941), kur theksonte se Ballkani prodhon më shumë politikë së sa konsumon”, – ka përfunduar postimin e tij në “Facebook”, Arben Malaj.
(BalkanWeB)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb