Kryetari i partisë shqiptare ‘’Aleanca për Shqiptarët’’ në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela thotë se sot është dita kur qytetarët duhet të shprehnin vullnetin e tyre përmes votës dhe ndryshimi do të vijë në mbrëmje.

Sela thotë se është informuar për incidentet nga shtabet dhe shpreson që mos ketë shumë të tilla sidomos tani që Maqedonia e Veriut është në prag të anëtarësimit në NATO.

Për më tepër, Ziadin Sela thotë se sot do të ketë ndryshim për shqiptarët, teksa do të dallohet menjëherë prej fillimit të numërimit të votave se si do të jenë partitë shqiptare kësaj radhe të renditura në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

 

STATUSI NGA ZIADIN SELA

 

Unë sot si qytetar i zakonshëm e shpreha vullnetin tim, fola zëshëm me votë, si të gjithë qytetarët. Është një ditë për demokracinë e vendit, është një ditë e rëndësishme për proceset Eurointegruese. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin sa më masovikisht. Kuptohet duke u kujdesur dhe të shprehin vullnetin e tyre, të flasin zëshëm për gjithçka që s’kanë mundur të flasin nga zgjedhjet e fundit të 2016-ës. Me fjalë të tjera sot është dita kur fuqia është në dorë të qytetarit, të votuesit dhe jo në dorë të funksionarëve partiak të cilët ndoshta ua kanë sjellë shpirtin në maje të hundës qytetarëve. Sot është dita e tyre dhe ata duhet ta shfrytëzojnë këtë ditë maksimalisht sepse e kanë mundësinë deri ora nëntë të mbrëmjes të flasin zëshëm me votë.
Fuqia dhe sovrani janë ata. Uroj që zgjedhjet të jenë të qeta pa incidente, në mënyrë që të japim një shembull pozitiv edhe tani më që vendi është prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më informojnë shtabet, janë ata të cilët bëjnë punën e tyre, se ecuria është e kënaqshme, njerëzit dalin votojnë dhe besoj se sonte në mbrëmje do të rivendoset demokracia dhe do t’i jepet fund monizmit 18 vjeçar.

Ka pasur një incident në Veleshtë më është raportuar dhe mirë është ju të drejtoheni tek shefi i policisë së Strugës dhe të denoncohet rasti në mënyrë që secili të mbajë përgjegjësi dhe mos kemi raste të tilla. Falë Zotit incidenti ka qenë i vogël por nuk është për t’u fshehur dhe prandaj gjithsecili që guxon të frikësoj, gjithsecili që guxon t’ia imponoj me dhunë vullnetin e ndonjë qytetari patjetër se duhet të jetë prapa grilave dhe duhet të përgjigjet. Qytetarët do të duhet të vazhdojnë të dalin në votime sa më masovikisht.
Ndryshimi po vjen sonte në mbrëmje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb