Ish ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i është besuar detyra e koordinatorit special dhe udhëheqësit të misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së për zgjedhjet parlamentare në Moldavi, pas emërimit nga Kryetarja e radhës së OSBE-së, ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde .

Këto zgjedhje po monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish ndërkombëtar të OSBE-ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës.

“Shpresojmë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës do t’i japin një mundësi Moldavisë që t’i japë fund bllokimit politik për të hapur rrugën e reformave. Së bashku me partnerët tanë nga ODIHR, Parlamenti Europian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ne shpresojmë të ndihmojmë Moldavinë në angazhimet e saj demokratike”, është shprehur Bushati.

Më herët z.Bushati u prit në një takim nga Presidentja e Moldavisë znj. Maia Sandu, Kryetarja e Parlamentit, znj. Zinaida Greceanii dhe përfaqësuesit e partive politike kryesore që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Të hënën, misioni vëzhgues ndërkombëtar që udhëhiqet nga Bushati do të bëj të njohur për publikun gjetjet dhe konkluzionet paraprake për procesin zgjedhor të 11 Korrikut në Moldavi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb