Me disa problematika paraqitet votimi në Berat. Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se në Qendrën e Votimit 3337 në fshatin Çetë në ish-komunën Cukalat nuk ka filluar ende procesi i votimit. Komisionerët nuk gjejnë kartën e pajisjes elektronike që verifikon kartat e identitetit. Për këtë problem është njoftuar KQZ dhe pritet të merret një vendim për të filluar procesi pa pajisjen elektronike.

Problematika për pajisjen elektronike ka pasur dhe në qytetin e Beratit. Kandidati i LSI Ardit Çela ka denoncuar se një qytetar në Tërpan ka shkuar për të votuar në KZAZ 67, Qendra e Votimit 3370 shkolla 9-vjeçare Tërpan, por sistemi e ka nxjerrë sikur ka votuar dy herë ndërkohë që nuk e ka ushtruar asnjëherë të drejtën e tij.

Nga kandidati i PD Tomor Alizoti një tjetër denoncim se një vëzhgues i PD është dhunuar.
“Një vëzhgues i PD në KZAZ 65 në Berat është dhunuar fizikisht. Arben Mpeshtanaku është dhunuar. I bëj thirrje bandave të Klosit që të mos prekin anëtarët dhe vëzhguesit e PD”, deklaroi Alizoti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: