Diplomati Agim Nesho i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, komentoi sot zgjedhjet e PE, duke shtuar se surpriza më e madhe e tyre, ishte pikërisht rezultati, që iu hoqi monopolin grupimeve të qendrës së majtë e të djathtë.

“Iku monopoli i zgjedhjeve të mëparshme, grupimet e qendrës së majtë dhe të djathtë që kishin mazhorancën e drejtonin të vetme, tani s’do ta kenë të munduar. Kemi pjesëmarrjen e shumë partive të tjera. Pas këtij rezultati pritet të vendoset kush do e drejtojë Komisionin Europian”, tha ai.

Por çfarë na treguan tjetër këto zgjedhje? Nesho shton se në këto zgjedhje, humbjen më të madhe e patën socialdemokratët.

“Kjo do të thotë së në Europë atë që përfaqësojnë social demokracia, barazinë në shpërndarjen e të ardhurave, një shtet sa më social po ridimensionohet. Europa është futur në tregun ndërkombëtar, po ballafaqohet me problemet që ka bota. Ndaj kemi një rritje të të gjelbërve, për shkak të problemeve që kemi me klimën. Kemi liberalët që kërkojnë të sjellin një frymë të re. Kemi edhe grupin e ekstremit të djathtë që nuk marrin dot udhëheqjen. Këta kanë ndryshuar qëndrim, që BE të mos shpërbëhet, por duhen ndryshuar raportet mes shteteve anëtare”,- sqaroi ai.

Por pse pati një pjesëmarrje kaq të lartë kësaj here, mbi 50%?

“E vërtetë, kjo ishte pjesëmarrja më e madhe pas vitit ’94. Njerëzit u bënë më të ndërgjegjshëm për fatin e tyre,. për shkak të frikës nga populistët dhe nacionalistët se mos mbizotëronin ata. Njerëzit u ndërgjegjësuan që kjo të mos ndodhte, por edhe çështje si emigracioni, papunësia, klima dhe antiterrorizmi e rritën pjesëmarrjen”,- vijoi ai.

Sa për Shqipërinë dhe integrimi e saj në BE, Nesho u shpreh se kushdo të kishte fituar zgjedhjet, në kushtet e një krize politike të thellë, ku ndodhet Shqipëria BE-ja nuk ia hap derën.
“Kryesor për ne është zgjidha e detyrave të shtëpisë që Europa na ka lënë. Nëse nuk i realizojmë ato nuk mund të presim vetëm nga Europa. Ne jemi përballë një krize të thellë, asnjë vend me krizë të tillë nuk mund të pranohet në BE”,- sqaroi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: