NGA EGLANTINA ALLIAJ
Votimet për të zgjedhur 450 anëtarët e Dumës, apo Dhomës së Ulët, për 5 vitet e ardhshme në Rusi, zhvillohen edhe në të gjitha ambasadat e saj në botë. News 24 ishte në ambasadën ruse në Tiranë për të vëzhguar nga afër procesin e votimit, i cili ka nisur në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 8 të mbrëmjes.

Janë 400 shtetas rus që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, por të drejtën e votës e kanë rreth 333 zgjedhës. Votën e tyre do ta hedhin edhe ata shtetas rus që ndodhen në vendin tonë për pushime.
Ambasadori rus Aleksandër Karpushin tha për News 24, se këtë herë votimi do zhvillohet sipas listave të partive politike dhe të rajoneve të Rusisë.

“Sot është dita e zgjedhjeve parlamentare që mbahen në Rusi. Në të gjitha ambasadat ruse jashtë Rusisë zhvillohen votimet, janë krijuar qendra të votimit. Sipas të dhënave që ne kemi, afërsisht janë 400 shtetas që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe numri i zgjedhësve është 333”, tha Karpushin.

Për ambasadorin rus, zgjedhjet zhvillohen sipas standardeve demokratik, dhe në kuadër të ligjeve që jep komisioni qendror në Rusi.

“Kemi 14 parti politike që marrin pjesë në këto zgjedhje: Partia Rusia e Bashkuar, Partia Komuniste, Partia Liberal Demokratike, që janë në radhën e parë të zgjedhjeve, si dhe parti të të gjithë spektrit politik”, u shpreh Karpushin.

Janë 110 milionë rus që do votojnë sot për parlamentin e ri, ndërsa më shumë se një milionë shtetas rus do të votojnë nëpër ambasada.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb