TIRANË

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati thotë se fitorja e zgjedhjeve nga shqiptarët në Tuz është një hap i madh përpara dhe tregues i pjekurisë politike të udhëheqjes së partive shqiptare në Malin e Zi.

Në një status në “Facebook”, Bushati shkruan se Forumi Shqiptar-Malësia na bashkon arriti një rezultat historik dhe më shpresëdhënësi për shqiptarët në rajon. Gjithsesi ai deklaron se përpara i pret një sfidë më e madhe.

STATUSI I BUSHATIT
Mesazhi që na jep Tuzi
Mesazhi që vjen nga Tuzi ku “Forumi Shqiptar-Malësia na Bashkon” arriti një rezultat historik, është padyshim më shpresëdhënësi për shqiptarët në rajon, pas formësimit të platformës së bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në fillimin e vitit 2017.
Ky hap i madh përpara, është tregues i pjekurisë politike të udhëheqjes së partive shqiptare në Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë burim frymëzimi për fuqizimin e mëtejshëm të kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, si kontribut për stabilitetin demokratik dhe përkatësinë euro-atlantike.
Angazhimi i diasporës për fitoren e korrur në Tuz përbën një shembull të vërtetë të manifestimit të vetëdijes kombëtare, larg paradave e përbetimeve pa përmbajtje. Tuzi na tregoi qartë gjithashtu nevojën për të ndarë politikën e ditës nga prioritetet kombëtare.
Tashmë para shqiptarëve shtrohet një sfidë edhe më e madhe në horizont. Ajo e drejtimit, zhvillimit dhe modernizimit të Tuzit përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe të gjithë grupimet e tjera etnike.

Bushati Fb
Bushati Fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb