NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Vetëm një javë na ndan nga mbajtja e zgjedhjeve të drejtuesve të rinj në universitetet publike. Sa më shumë afron datat 20 prill, aq më shumë shtohen edhe presionet. Por, më e çuditshmja ka ndodhur në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, i cili ka miratuar ndryshimin e statutit të UMT, në një kohë që gara për drejtuesit e ri të institucioneve ka nisur. Ndryshimi i statutit të Universitetit të Mjekësisë në mënyrë të beftë ka sjellë një situatë të paqartë në garën për kandidatë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike.

Në garën për dekan në këtë Fakultetin e Infermierisë garojnë dy kandidate, Ilirjana Zekja dhe Tatjana Çina. Të dy kandidateve, pasi u është bërë verifikimi i dokumentacionit nga Komisioni Institucional Zgjedhor, (KIZ) në përputhje me kriteret e përcaktuara në rregulloren e Ministrisë së Arsimit, u është njohur e drejta të hynë në garën për dekan. Por, me ndryshimin e statutit të universitetit nga senati akademik, një prej kandidatëve rrezikon të largohet në mënyrë të padrejtë nga gara.

Përplasja
Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë është ndryshuar me vendimin e senatit akademik nr.23, datë 19.03.2016 dhe më pas është miratuar me shkresën e ministrit të Arsimit dhe Sportit nr.2834 prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të statutit”. Por, në një kohë që ndryshimet e këtij statuti duhet t’u referoheshin ndryshimeve ligjore që i janë bërë Ligjit të Arsimit të Lartë, ka ndodhur e kundërta, pasi statuti në nenin 91 pika 5 i është referuar Ligjit të vjetër të Arsimit të Lartë të vitit 2007, ku përcaktohet se autoritet drejtuese për t’u zgjedhur duhet të kenë 10 vite punë.

Ndryshimi i rregullave në mes të lojës ka bërë që një prej kandidatëve që garon për postin e dekanes në Fakultetin e Infermierisë, Tatjan Çina, t’i drejtohet me një ankesë Komisionit Institucional Zgjedhor për largim nga gara të rivales Ilirjana Zekja, pasi nuk ka 10 vite punë në UMT, por 5 vite punë si pedagoge e brendshme. Edhe pse faktikisht në rregulloren e Ministrisë së Arsimit ky nuk është kriter për të hyrë në garën për dekan. Kandidatja për dekanë, Ilirjana Zekja ka deklaruar për “GSH” se ajo nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me vendimin që është marrë pas ankesës së depozituar në Komisionin e Apelit nga kandidatja e saj rivale.

“Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit në datë 15 mars 2016, nuk përcaktohet asnjë kriter i tillë për të garuar për postin e dekanit, se duhet të kesh 10 vite punë si pedagog i brendshëm. Kandidatja tjetër, Tajana Çini duke iu referuar statutit të ndryshuar të senatit, i cili është ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe faktikisht ka edhe shumë gafa, pasi i referohet Ligjit të vjetër të Arsimit të Lartë, ka kërkuar përjashtimin tim nga gara dhe të vijojë këtë garë e vetme”, tha mjekja Ilirjana Zekja. Sipas saj, ajo i plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara nga MAS në nenin 21 të rregullores dhe KIZ e ka njohur si kandidate zyrtare. Më tej, ajo ka theksuar se veprime të tilla njollosin procesin zgjedhor në universitetet publike.

Kriteret
Kandidatët për rektor, por edhe dekan të institucionit publik të arsimit të lartë, duhet të mbajnë titullin “Profesor” dhe mund të vijnë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose jashtë tij. Nuk mund të kandidojnë për dekan të institucionit publik kandidatët që: janë në ndjekje penale dhe ndaj tyre është dhënë masë e sigurimit personal; janë dënuar për vepra penale me vendim gjyqësor të formës se prerë; janë të dënuar më parë për vepra penale; ndaj tyre është dhënë masë disiplinore.

Po ashtu, nuk mund të kandidojnë kandidatët që kanë qenë dekanë të zgjedhur për dy ose më shumë mandate të njëpasnjëshme apo të ndara në të njëjtin institucion ku do të kandidojnë. Nuk kanë të drejtën të kandidojnë personat që kanë mbushur moshën për pension, apo ata që kandidojnë për autoritete të tjera drejtuese.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb