Një rast i paprecedentë është regjistruar gjatë fushatës për zgjedhjet në Universitetin e Mjekësisë.

Kandidati për rektor në këtë Universitet, profesor Petrit Bara është përjashtuar nga gara për postin drejtues të universitetit në mënyrë krejt arbitrare dhe abuzive nga Komisioni Institucional Zgjedhor  i Universitetit të Mjekësisë

“ Vendosa të konkuroj se nuk po hynte askush në garë vetëm Arben Gjata’’- thotë Bara.

Rregullorja e zgjedhjeve në Universitetin e Mjekësisë kërkon që për postin drejtues rektor, kandidati të ketë të paktën 20 vite në mësimdhënie, por sipas KIZ profesor Bara kishte vetëm 17 vite. Nga ana e tij Bara thotë se ne dokumentacionin e dorëzuar ne KIZ përshkruhej CV-ja e tij, ku së bashku me 3 vitet e punës pranë universitetit të Tetovës i bëheshin 20 vite mësimdhënie.

Rektori i universitetit të Tetovës Vullnet Ameti zyrtarisht pohon në  këtë shkresë  se nga viti 2000 deri në vitin 2003 profesor Bara ishte pedagog i fakultetit të shkencave të mjekësisë krijuar në vitin 1998, ndërsa dekani Kastriot Haxhirexha e mohon në një email të derguar në drejtim te KIZ-it duke thënë se universiteti i Tetovës funksiononte në atë kohë në mënyrë ilegale e si rrjedhojë nuk mund të konfirmohet asnjë e dhënë që i përket asaj kohe. Bara thotë se dokumenti i rektorit Ameti nuk u pranua nga KIZ ndërsa për bazë u mor parasysh vetëm email i dekanit Haxhirexha.

Por nje tjetër problem i del rrugës me një dokument të gjendjes civile.

Profesor Bara ve ne dispozicion shkresën ku thuhet qartësisht se regjistrimi i ditëlindjes është gabim teknik  i  administratës, gabim i cili eshtë rregulluar nga vetë stafi i gjendjes civile. Por edhe ky ndryshim për KIZ-in ishte arsye e qenësishme për të mos ia regjistruar kandidaturën per rektor

Eshtë Komisioni i Apelimit i cili do të marrë se shpejti vendimin përfundimtar nesë profesor Petrit Bara do ta vazhdojë garën apo jo.

Sipas profesor Bara KIZ-i kërkon të legjitimojë garën për rektor të këtij universiteti me një kandidat të vetëm, rektorin aktual profesor Arben Gjatën i cili sipas tij ka frikë nga gara.

“Pikërisht se ka frikë nga gara, bën keto mekanizma të letrave sepse do fitoren në tavolinë me vendim, po mos të ketë frikë nga gara ai thote OK vazhdojmë..’’- thotë Bara.

Prof Petrit Bara, tha se kjo nuk është përballja e parë me kolegun Arben Gjata, në zgjedhjet e kaluara për kreun e universitetit Bara thotë se i humbi zgjedhjet perballë tij padrejtësisht dhe se çështjen e ka fituar në Gjykatën e Stasburgut.

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor pranë universitetit të Mjekësisë Silvana Bala e kontaktuar me telefon nga News24 tha se dosja e profesor Bara kishte mangësi dhe parregullsi dhe se pergjigjet per pyetjet e News24 do të dërgohen zyrtarisht nga KIZ-i pranë universitetit të mjekësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb