Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

BE-ja po ashtu sërish ka shprehur zhgënjimin për bojkotimin e zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – dhe ka thënë se është e domosdoshme që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Në zgjedhjet e 23 prillit do të garojnë 10 kandidatë për kryetarë të katër komunave dhe vetëm një është nga komuniteti serb. Paraprakisht, edhe një kandidat tjetër serb kishte hyrë në garë, por ai u tërhoq nga gara tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Duke iu referuar zgjedhjeve dhe mospjesëmarrjes në to të Listës Serbe, Stano sërish shprehu zhgënjimin e bllokut evropian për vendimin e kësaj partie, duke pasur parasysh nevojën e angazhimit të serbëve lokalë në strukturat e pushtetit lokal.

“Është e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtje”, shtoi Stano.

Stano përmendi edhe marrëveshjen e marsit mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas tij, parasheh pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e 27 shkurtit dhe aneksi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër më 18 mars, ishin hapa të mëdhenj. Marrëveshja dhe aneksi hapin rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve. Pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe në qeverisjen lokale”, tha ai.

Ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të kenë prioritet kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe, por edhe zyrtarët në Beograd, kanë vendosur dy kushte për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ndryshe, në zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: