Në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News 24”, u diskutua për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Analisti Mentor Nazarko, i ftuar përmes “Skype”, tha se sipas tij është e vështirë që Albin Kurti ta formojë i vetëm qeverinë në Kosovë.

“Mund ta imagjinoja me Rugovën, ndonëse guxoi të provokonte sadopak shoqërinë që është myslimane, shumica të tilla mund të bënte vetëm Ibrahim Rugova. Rugova fitoi me 65% të votave. Kështu që zoti Kurti po tenton të marrë një shumicë të tillë, por dy ditët e fundit po flet për një aleancë të majtët me të djathtët. Ka folur për ide kombëtare, por dyshoj se kjo qasje e tillë do të arrijë shumicën absolute”, tha Nazarko.

Nazarko tha se sipas tij Albin Kurti ka krijuar një frymë të re. Një potencial në këto zgjedhje për Vetëvendosjen sipas Nazarkos do të jenë votuesit e rinj, por edhe të pakënaqurit nga partitë e tjera.

Gjithashtu ai shtoi se Kurti nuk duhet të luajë me kartën e korrupsionit, pasi sipas analistit kjo është aplikuar dhe nga Avdullah Hoti, i cili sipas tij ka rekorde mjaft të mira në këtë drejtim.

“Rezultati i Vetëvendosjes ka disa qëllime. Në rastin me të keq pritet t’i dyshifrojë votat në raport me 2019-ën. Potenciali në këto zgjedhje është votuesi i ri, sepse ata janë lindur pas luftës. Është një votues që nuk e ka memorien e çliruesve, është një elektorat i cili është rritur në izolim, ndërkohë që gjyshërit e elektoratit të ri kanë pasur mundësinë të shohin shumë ndryshime. Të rinjtë sot nuk kanë kontakt me Perëndimin. Ata kanë lëvizur të lirë vetëm me Shqipëri, Turqi, Maqedoni të Veriut. Kurti përfaqëson sfidën ndaj të huajve, ndaj perëndimorëve. Integriteti i tij moral është tërheqës, aftësia oratorike, përzierja me rryma të tjera si marksizmi janë joshëse për elektoratin e Kosovës. Por në lëvizjen e tij ka dhe të zhgënjyer nga parti të tjera, ashtu siç mund të ketë dhe një pjesë të vogël të LDK-së që nuk ka dashur në asnjë mënyrë që kjo parti të bëhej koalicion me Thaçin, gjë që Isa Mustafa e ka bërë. Përballë një mekanizmi të tillë, është shumë vështirë të jesh një “peshk” i fortë. Është sfidë për intelektualët që të gjejnë vërejtje për një lëvizje e cila sjell ndryshim, por jo të gjitha ndryshimet që sjell ajo mund të jenë pozitive për Kosovën. Kjo frymë e re që vihet re në listën e zotit Kurti, ashtu siç duhet të besoj se Kurti ka mësuar nga gabimet e tij, kjo masë do të sjelli ndryshimin. Nuk mund të luhet me kartën e korrupsionit. LDK-ja ka në rekordet e veta një luftë të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit. Hoti që i ngjan Rugovës, nga principet por edhe nga ngjashmëria fizike ka goditjen e korrupsionit në nivele rekord, në drejtorinë e tatimeve, në shërbimin sekret dhe për këtë me një shumicë fare të vogël. Ai goditi këto figura që udhëhiqnin institucionet në Kosovë. Pra karta e korrupsionit nuk është një kartë reale, por po hap një pistë tjetër, Kosova duhet të ruaj boshtin por perëndimor”, u shpreh analisti.

Nazarko gjithashtu argumentoi se liberalizimi i vizave i Kosovës ndodh nëse zgjidhet ngërçi me Serbinë. Madje sipas analistit ky është kusht edhe nga Bashkimi Europian.

“Çështja e shkëmbimit të kufijve është një manipulim i politikës Kosovare, ekzagjerim i saj, i cili solli si pasojë mbylljen, zgjatjen dhe mosmbylljen me Serbinë. Nëse Haradinaj në fillim dhe Kurti më pas do të shkonin në delegacion së bashku me Thaçin, do të kishin sot njohje reciproke. Kosova vendosi të ulte taksën, duke thënë se nuk e heqim por nuk pati njohje reciproke. Zoti Kurti ka zgjedhur që në qeverisjen e vet të thotë që dialogu nuk është pista kryesorE, por pa dialog Kosova nuk ka viza. Kurti ka theksuar se BE do të jetë aleati kryesor, por BE e ka bërë të qartë se pa u mbyllur dialogu nuk ka viza. Ai duhet të premtojë dhe të kontaktojë institucionet prodhuese të vaksinës dhe kjo është shumë e rëndësishme gjithashtu”, përfundoi Mentor Nazarko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb