Genti Malko, anëtar i Këshillit Kombëtar i PD ka komentuar sot zgjedhjet për drejtuesin e kësaj partie që u mbajtën më 13 qershor, garë nga e cila u rikonfirmua Lulzim Basha.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ Malko tha se pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit Basha ishte në pikën e vetë më të ulët historike. Duke u ndalur tek 3 kandidatët përballë Bashës, ai tha se ata e kanë ditur se si do të dilte gara. Mes të tjerash ai nënvizoi dy shkelje që sipas tij ka pasur në këto zgjedhje që janë; afati i kufizuar për fushatën dhe mosdhënia e listave.

“Të gjitha vërejtjet janë të vërteta. Koha e pamjaftueshme për të bërë fushatë është një nga ato. Në momentin e humbjes së zgjedhjeve Basha ka qenë në pikën e vetë më të ulët historike. Nëse do i ishte dhënë mundësi fushatës, të kishte kryer një proces të natyrshëm, zgjedhje në degë, ku të ndryshonin ekuilibrat dhe të shkonte në zgjedhjet për kryetar, do të ishte kandidati më i pafavorizuar. Në kushtet kur u vendosën për t’u bërë zgjedhjet, iu la kohë vetëm 2 javë, ishte vendim absurd se nuk iu la asnjë shans kandidatëve. Besoj se të tre kandidatët e kanë ditur që kur hynë se nuk kanë pasur shanse. Dy prej tyre janë humbës më të mëdhenj.

Çfarë do lloj shkeljesh të ketë pasur, ata do të ishin humbës. Kam një bindje timen se pse Shehaj ka marrë ato vota, por nuk dua ta prek si diskutim. Mendoj se është flluskë rezultati. Shkeljet janë; afati dhe mosdhënia e listave. Nuk mund t’i mos t’i japësh listat kandidatëve. Sa i përket infrastrukturës, besoj se nuk ka vend. Kryetari konkurron si kryetar dhe ata të tjerët ishin sfidantë. Në ndonjë rast devocioni apo vullneti i një kryetari mund të ketë çuar se ka shtuar disa vota. Këta ankohen se i janë shtuar votat Lulzim Bashës. Të tre kandidatët, janë nxituar. Ata kanë vajtur kanë legjitimuar një garë që nuk ishte e tillë dhe i kanë bërë një nder kryetarit aktual për t’i dhënë legjitimitetin atij.”, tha Malko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb