Ka përfunduar numërimi i 108 kutive të Qarkut të Durrësit, të kontestuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Gazetari Ergys Gjençaj, raporton për “BalkanWeb”, se nga rihapja e kutive, Partia Socialiste ka humbur 26 vota, Partia Demokratike 38 ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, ka humbur vetëm një votë.

“Riçelim seancën për kërkesën ankimore të LSI, për rinumërimin e Qarkut Durrës. Në përfundim të procesit për 108 qendrat e numëruara, rezulton që nga totali i votave, kemi një numër prej -60 votash më pak, i ndarë sipas partive. LSI ka minus 1 votë më pak, PD, minus 38 vota dhe PS, minus 26 vota nga rivlerësimi i bërë nga grupet e numërimit”, vendimi i KAS.

Ky rezultat nuk favorizon Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila nuk ka arritur të sigurojë mandatin në këtë qark, mandat i cili ndahej me 136 vota nga Partia Socialiste.

Kujtojmë që PD dhe LSI nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në KAS kërkuan ripërsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit, pasi sipas tyre ka pasur disa parregullsi e është deformuar vullneti i qytetarëve.

Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga KAS, e cila la në fuqi, vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili i cilësoi zgjedhjet në këtë qark, por jo vetëm, si të rregullta e të vlefshme. Gjithashtu, disa ditë më parë ambientet e brendshme të KQZ u përshtatën në një KZAZ numërimi, pasi u rihapën e numëruan kutitë e Qarkut të Beratit.

Rezultati ishte i pandryshuar, pasi LSI nuk arriti të fitonte mandatin e parë të saj në këtë qark, e cila ndahej me shumë pak vota nga PS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: