Në emisionin “Frontline” në “News24” ish-ministri Arben Malaj, njëherësh eksperti i Ekonomisë, komentoi situatën politike në vend, duke u ndalur tek zgjedhjet lokale të 14 majit.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Marsela Karapanço, ish-ministri foli edhe për premtimet, duke i cilësuar ato si një inflacion elektoral.

Gjithashtu ai tha se kryeministri Edi Rama nuk duhet të ishte përfshirë, pasi janë zgjedhje që duhet të dominohen nga kandidatët dhe jo nga qeveria apo opozita.

“Është diçka që nuk ndodh në vendet me demokraci të konsoliduar. Këto duhet të dominohen nga kandidatët dhe jo nga qeveria po opozita. Pra këto premtimeve që janë bërë nuk ndikojnë mirë në demokracinë e një vendi. Votuesit e tyre nuk janë aq naivë sa ata i mendojnë, dhe që mund të arrijnë t’i mashtrojnë nëpërmjet premtimeve të tyre”, tha Malaj,.

Pjesë nga biseda në studio:

Premtimet lidhur me zgjedhjet e 14 majit?

Arben Malaj: Është inflacion elektoral. Në shumë vende të BE, transporti falas është aplikuar. Nëse thuhet që shërbimi urban do të jetë falas, kjo do të ketë edhe kosto. Një propozim do të ishte që ta bënin në mënyrë graduale. Por nëse thuhet premtim falas dhe nuk argumentohen burimet, kjo lë për të dëshiruar. Tani vijmë tek pjesa e qeverisë, kemi një strategji; ku shkon Shqipëria deri në vitin 2030! Të rriten pagat dhe pensionet është e domosdoshme sepse është rritur shumë pabarazia. Inflacioni i ushqimor që prek pensionistët apo ato me pagat më ulëta është 28 %. Ndaj dhe BB ka thënë që sistemi i mbrojtjes sociale ka mangësi. Këtu është thelluar më shumë pabarazia. Edhe në kohë krizash të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Pra rritja pagave duhet të bëhet për të ulur varfërinë. Kur varfëria ulet dhe ndalet thellimi i pabarazisë, shoqëria bëhet më solidare dhe ka një qeverisje më efikase. Dhe mbi të gjitha qeveria duhet të dalë me shifra lidhur me rritjen e pagave. Në këtë rast qeveria nuk tregon as faturë dhe as burime, rritja e pagave pa rritur produktivitetin nesër mund të kthehet në një kosto për Shqipërinë.

Bonus për pensionistët?

Arben Malaj: Taksa duhet të ishte pjesë e buxhetit dhe ne duhet të dimë se sa para do të marrim nga taksat. Pra duhet të ketë një buxhet afatmesëm dhe pas kësaj ka një buxhet vjetor, dhe nëse nuk i kemi këto, çfarë mund të pritet?

Kryeministri duke lozur me fjalën kinezeri e ka vënë në një pozitë të vështirë KQZ, sepse loja me fjalët, kur një gjë ndalet për zgjedhjet e përgjithshme, ndalohet 10 herë për ato vendore. Nuk duhet të kishte fare ndërhyrje të kryeministrit në fushatë, shihet si keqpërdorim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb