Vijon procesi i votimit në të gjashtë bashkitë e vendit, ku ka pasur edhe probleme e tensione mes komisionerëve. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” dhe “News24” se në shumë qendra votimi ka pasur zvarritje të procesit, ku më pas procesi i votimit ka nisur pa kryetarë.

Siç raporton gazetarja Bezat, në mungesë të kryetarit të QV, procesi është ndjekur nga komisionerët si vëzhgues, pa atributet e një kryetari.

Ndërkohë, gazetarja Bezat thekson se “Në shumë komisione, përfaqësuesit e PS dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” kanë bashkuar votat, duke mos pranuar emërimin e kryetarëve, që përfaqësojnë PD-në, me pretendimin se ata nuk janë anëtarë të kësaj njësie administrative, duke mos njohur kështu vendimin e KQZ dhe KAS”.

Sa i përket pjesëmarrjes, gazetarja Bezat raporton nga terreni se “në Vorë e Marikaj ka pasur një fluks shumë të madh qytetarësh, që në orën 7 të mëngjesit, ku personat rrinin në radhë për të pritur të niste procesi. Ndërsa në Gërdec ka një proces shumë të ulët pjesëmarrjeje. Teksa kanë kaluar më shumë se dy orë, 15 ose 20 veta janë paraqitur për të votuar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb