Të paktën shtatë tenderë të Komsionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përfunduar të ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik ditëve të fundit.

Bëhet fjalë për procedura që kanë në objekt të tyre sigurimin e materialeve që do të përdoret për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen në 14 maj të këtij viti.

Një ankimim është regjistruar në datën 30 janar për kontratën që ka në objekt “Blerje kuti votimi dhe kuti materiale zgjedhore” me një fond limit gati 40 milionë lekë.

Në po të njëjtën datë është ankimuar e njëjta procedurë nga një subjekt tjetër.

Në datën 1 shkurt në Komisionin e Prokurimit Publik është regjistruar një tjetër ankimim për kontratën me objekt “Blerje materiale kancelarie” me fond limit rreth 36 milionë lekë.

Në datën 6 shkurt ka ardhur ankimimi i radhës për procedurën “Prodhim dhoma te fshehtësisë dhe kuti kartoni” me një fond limit mbi 32 milionë lekë ndërkohë që në datën 7 shkurt në KPP u regjistrua ankimim edhe për procedurën “Blerje bexhe plastike (mbajtëse ID) dhe rripa për bexhet, për administratën zgjedhore” me një fond limit 17.7 milionë lekë. Më herët gjatë janarit numërohen edhe të tjerë ankimime për procedurën “shtypshkrime të ndryshme” me fond rreth 200 mijë lekë apo “pajisje me qira” me fond limit 16.6 milionë lekë si dhe “ Prodhim zarfe sigurie dhe procesverbale me leter kimike” me fond limit 35.2 milionë lekë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar ditë pas dite duke plotësuar dhe miratuar të gjithë elementët e nevojshëm për ditën zgjedhore. Së fundmi u miratua edhe vendimi për karakteristikat teknike të fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023.

“Për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore zgjedhësi voton me dy fleta votimi me formë të njëjtë dhe me ngjyra të ndryshme, një për kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore dhe një për këshillin e bashkisë.

Fletët e votimit do të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie.

Përveç elementeve të sigurisë së letrës, fleta e votimit do të përmbajë dhe disa elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit si dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë (barcode)” specifikohet në faqen e KQZ.

Sa i takon votuesve lista përfundimtare zgjedhore do të publikohet në datë 4 prill 2023. Në këto lista do të jenë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët deri në datën 14 maj 2023, mbushin moshën 18 vjeç./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb