TIRANE– Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka reaguar pas shqetësimit të ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mospjesëmarrjen e të zgjedhurve si komisionerë për zgjedhjet e 25 qershorit në detyrat që i janë caktuar. Përmes një deklarate për mediat, nga zyra e zv.kryeministres theksojnë se zyrtarët kanë të drejtë të angazhohet si komisionerë në KZAZ dhe KQV.

“Asnjë pengesë për administratën nga ministrat teknikë, nuk pengojmë impenjimin e zyrtarëve si komisionerë”, shprehet Mandija.

DEKLARATA E PLOTE
Zyra e shtypit e zv/Kryeministres Ledina Mandija deklaron se, nuk ka asnjë pengesë nga ministrat teknik për angazhimin e punonjësve të administratës si komisionerë në nivele të ndryshme të administrimit në zgjedhje.

Nisur nga një lajm se ministrat teknikë po bëhen pengesë për punonjësit, të cilët janë në marrëdhënie pune, si dhe janë të angazhuar edhe si komisionerë ne KZAZ sqaron se, jo vetëm nga ana e ministrave teknik, por asnjë ministër nuk ka dhëne urdhër për të penguar angazhimin e këtyre personave si Komisionerë në KZAZ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.473, datë 1.06.2017, në pikën 5, përcakton qartë dhe saktë se punonjësi i administratës ka te drejte të angazhohet si komisioner ne KZAZ, KQV dhe në grupet e numërimit të votave.

Zv/Kryeministrja Mandija përfiton nga rasti t’iu bëjë thirrje të gjithë punonjësve të administratës, të cilët ndeshen me pengesa të kësaj natyre të adresojnë shqetësimin pranë zyrës së zv.kryeministrit dhe ministrive të linjës.

Zv/Kryeministrja Mandija përfiton nga rasti t’iu bëjë thirrje të gjithë titullarëve të institucioneve dhe drejtuesve të administratës të mos paraqesin pengesa për punonjësit, të cilët janë të angazhuar si komisionerë zgjedhorë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: