Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me marrëveshjen mes qeverisë e opozitës për reformën zgjedhore.

Gahler shkruan se grupi i PPE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE, ndërsa vlerëson marrëveshjen e arritur mes palëve. Ai vë theksin te nisja e procedurës penale kundër atyre që akuzohen për blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.

Postimi i plotë:

Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Ne vlerësojmë marrëveshjen midis qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për një pjesë të rëndësishme të Reformës si pjesë e ligjit zgjedhor në përputhje me standardet e BE dhe OSBE. Reforma duhet të përfundohet në këtë frymë dhe, mbi të gjitha, të zbatohet me mirëbesim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme! Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri, por gjithashtu plotëson dy kushte të BE-së për fillimin e negociatave të pranimit.

Ne gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve që të punojnë drejt përmbushjes së të gjitha 15 kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë para se të nisin negociatat e pranimit.

Këtu theksojmë shfuqizimin e legjislacionit që kërcënon lirinë e shprehjes dhe nisjen e procedurës penale kundër atyre që akuzohen për blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: