Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se zgjerimi duhet të jetë projekti më i rëndësishëm i Bashkimit Evropian (BE) dhe se Serbia është vendi kyç i Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

“Pa Serbinë, rajoni nuk mund të bëhet pjesë e BE-së”, tha kryeministri Orban më 8 korrik në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizita e tij në Serbi vjen dy ditë pasi ai i paraqiti BE-së disa propozime sesi të fuqizohet blloku. Njëra ndër pikat thoshte se Serbia duhet të bëhet pjesë e BE-së.
Gjatë një konference për media, pas takimit me Vuçiqin, Orban tha se në kohën kur vendi i tij ishte në proces të integrimit, ishte e qartë për të gjithë se nga vendet e Evropës Qendrore, atëbotë Polonia ishte një vend kryesor për integrimin e këtyre vendeve.

“Për këtë arsye unë e mbështes anëtarësimin e Serbisë në BE, sepse pas saj është i gjithë Ballkani Perëndimor. Derisa Serbia të integrohet, Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, tha Orban.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia beson në të ardhmen evropiane, por se do të rrisë bashkëpunimin me Hungarinë dhe vendet e Grupit të Vishegradit.

Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga vendet anëtare të BE-së, Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia, ka kohë që bën presion për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Orban gjatë takimit me Vuçiqin ka ngritur edhe çështjen e migrantëve.
Hungaria ka qenë ndër vendet e para evropiane që ngriti një gardh me tela në kufirin me Serbinë për të parandaluar hyrjen e refugjatëve dhe migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Orban tha se pandemia e zhvendosi në plan të dytë problemin e migrantëve, mirëpo kjo çështje është rikthyer.
“Zhvillime dramatike po ndodhin në Afganistan dhe qindra mijëra njerëz po largohen nga ai vend. Unë mendoj se Serbia është pjesa jugore e Evropës Qendrore. Pa një Serbi dhe Ballkan Perëndimor të fuqishëm, as Hungaria nuk është e sigurt”, tha Orban.

Presidenti i Serbisë nuk e adresoi në mënyrë të veçantë këtë çështje, por tha se Serbia do të “bashkëpunojë ngushtë” me Hungarinë sa i takon pandemisë dhe migrantëve.

Qeveria konservatore e Orbanit është kritikuar disa herë për trajtimin që u bën migrantëve, por edhe për ngecjet në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar një listë me emrat e 37 udhëheqësve të shteteve ose qeverive, të cilët, sipas kësaj organizate, po e shtypin lirinë e mediave.

Organizata thotë se që nga marrja e pushtetit më 2010, Orban ka sulmuar pavarësinë e medias/ REL.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb