MORINË-Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i shoqëruar edhe nga autoritetet e Shërbimit Doganor Shqiptar, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Doganën e Morinës në rrethin e Kukësit. Ministri Cani ka inspektuar ecurinë e punimeve në këtë pikë doganore.

Sikurse është bërë e njohur Qeveria Shqiptare po vijon të investojë për përmirësimin e infrastrukturës në pikat e kalimit kufitar. Në doganës e Morinës është duke u realizuar projekti i radhës, një investim që synon të krijojë kushte për shkëmbimet tregtare dhe rritjen e flukseve të tyre midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një prononcim për mediat, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u tha gazetarëve të pranishëm në këtë pikë të kalimit të kufirit se që prej datës 2 shkurt kur u lidh edhe kontrata për të zgjeruar rrugën hyrëse për në Doganën e Morinës, është duke u punuar për realizimin e procedurave ligjore dhe të projektit dhe tashmë kanë filluar punimet në terren.

Ministri Cani tha se ky investim do të bëjë që, jo vetëm për sipërmarrjen, por edhe për ata dhjetëra-mijërave shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, – veçanërisht në kohën e verës, – të mos kenë asnjë dallim dhe asnjë pengesë në kalim.

“Ky investim prej rreth 600 mijë dollarësh për të bërë zgjerimin e rrugës që shkon drejt doganës dhe për të shtuar pikat e kontrollit, – tha ministri- besoj se do të jetë për t’i dyfishuar ato, duke krijuar një lehtësi më të madhe për të gjithë udhëtarët, por edhe për operatorët e ndryshëm ekonomikë që kalojnë në Doganën e Morinës”.

Investimi i bërë, së bashku me masat që po marrin të dy administratat doganore të vendeve tona, po krijojnë kushtet për një korridor të përbashkët doganor.
Kjo prek të gjitha bizneset që operojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës duke sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në tregtinë mes dy vendeve, shkurton kohën e qëndrimin të tyre në doganë, redukton kostot për biznesin.

“Ky është një lehtësim për bizneset, por ne po punojmë në vazhdimësi që t’i kemi doganat e harmonizuara”, -theksoi Cani.

Pas vullnetit të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për të afruar tregjet e dy vendeve përmes përafrimit të procedurave të përbashkëta doganore qëndron puna intensive e Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës për realizimin me sukses edhe të këtij investimi të rëndësishëm, që nuk do të jetë i vetmi
Qeveria Shqiptare ka marrë zotim të punojë drejt arritjet së këtij objektivi njëkohësisht i shoqëruar me ndërtimin e Terminalit të Përbashkët Doganor me ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Ne tani po materializojmë një pjesë tjetër të gjithë atij mozaiku që kemi përcaktuar në mbledhjen mes të dyja Qeverive në Prizren dhe në Tiranë’, – nënvizoi shefi i financave shqiptare.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: