Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Boiken Abazi, reagon pas vendimit të Greqisë për të miratuar vendimin për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon.

Përmes një mesazhi në “facebook”, Abazi thekson se Greqia i bëri sot për Krishtlindje “dhuratë” vetes, që sipas tij, nuk do të ishte e mundur par Edi Ramën.

Mes të tjerash, ai shkruan se “Ajo çka Rama dhe Micotaqis kanë rënë dakord të çojnë në Hagë është ndarja e zonave ekskluzive ekonomike që nisin pas ujërave territoriale, dhe tashmë pasi Greqia e ka bërë fakt të kryer ekspansionin me 12 md”.

Reagimi i Abazit:

Greqia i bëri sot për Krishtlindje “dhuratë” vetes zyrtarizimin e dekretit për zgjerimin e ujërave territoriale nga 6 në 12 milje detare (md) në Detin Jon, si për të dëshmuar që shteti grek nuk ka hequr dorë nga trashëgimia politike e keqpërdorimit të fesë në funksion të ekspansionit territorial. Mirëpo, kjo “dhuratë” nuk do kishte qenë e mundur pa Edi Ramën, që kishte premtuar publikisht muaj më parë se nuk do ia kontestonte, edhe pse në kurriz të territorit detar shqiptar.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Shqipëria nuk e çon dot kontestimin e këtij zgjerimi të Greqisë nga 6 në 12 md, sepse aty nuk mund të shtrohen çështje pa miratimin paraprak të Greqisë. Ajo çka Rama dhe Micotaqis kanë rënë dakord të çojnë në Hagë është ndarja e zonave ekskluzive ekonomike që nisin pas ujërave territoriale, dhe tashmë pasi Greqia e ka bërë fakt të kryer ekspansionin me 12 md.

E vetmja mundësi që kemi si shtet për të vendosur drejtësi përmes ligjit ndërkombëtar për këtë akt grabitqar të Greqisë, është kontestimi përmes Aneksit 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit – por Qeveria Rama refuzon ta aktivizojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb