Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, tha se Shqipëria është në terr informativ sa i përket çështjes së detit dhe zgjerimit me 12 milje në Jon të miratuar tashmë nga parlamenti i Greqisë.

“Parlamenti grek i ka hapur rrugën zgjerimit, por duhet edhe dakordësia e palës shqiptare për të arritur në këtë përfundim. Historia e zgjerimit, është një histori e hapur dhe rihapur vit pas viti, që brenda vetes mbart shumë terr, ndaj edhe ne jemi skeptikë. Nuk dimë nëse kjo e dëmton apo jo vendin tim. Kryeministri Rama tha se do i drejtohet gjykatës ndërkombëtare por s’pati data, as informacione të tjera se si do vijohet. Kemi para një pikëpyetje. A ka pasur dijeni Rama për këtë, a di ndonjë prapaskenë apo a ka bërë marrëveshje që ne nuk i dimë ende. Ai kështu ka ndërhyrë edhe për territorin e Kosovës dhe nuk më habit shumë ai, S’është i interesuar të mbrojë të drejtat tona si komb. Unë jam e bindur se pa dakordësinë e Kushtetueses nuk mund të arrihet në pikën që pretendon Greqia”,- tha Mehmetaj.

Sa për akuzat se Rama ka bërë “tradhti” me çështjen e detit, Mehmetaj u shpreh: “Është bërë normale që pas akuzave me fakte ai shpalos fjalorin e tij, mes batutave kërkon të shpëtojë veten. Në disa raste e ndihmon retorika, por në rastin konkret nuk mund të fshihet pas fjalëve popullore.

Ne të dyja palët politike duhet të ishim sot në negociata, të ishim të ulur në tryezë dhe të kishim propozimet e ekspertëve dhe më pas të orientoheshim për zgjidhjen e duhur. Jo të merremi me retorikë folklorike siç bën kryeministri Rama, por të ishim të gjithë bashkë për interesin kombëtar”,- vijoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb