Ndërsa ka arrestuar 4 efektivë të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës, Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se ka nën shënjestër edhe disa persona të tjerë si të lidhur me trafikun e 8 ton drogë në Itali.

Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se mes personave të vënë nën hetim janë edhe disa biznesmenë shqiptarë e maqedonas. Po kështu hetimi është shtrirë edhe mbi punonjësit e tjerë të pikave kufitare të Qafë Thanës dhe portit të Durrësit.

Policia italiane në bashkëpunimin me doganat bënë të mundur zbulimin e rastit të trafikut, ku lënda narkotike e cila kishte kaluar nëpër Shqipëri dhe do të përfundonte në Ankona.

Menjëherë pas lajmit, policia shqiptare nxitoi të deklaronte se droga nuk kishte kaluar nëpër Shqipëri, por arrestimet e 4 oficerëve të policisë të bërë mbrëmjen e djeshme hodhën poshtë pretendimet e uniformave blu të bëra më parë.

Por si u transportuan drejt Italisë 8 ton drogë me kamion dhe cila ishte skema e ndjekur?
Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se droga prej 8 tonësh kanabis është marrë nga Shqipëria dhe është kaluar me mushka a me mjete të ndryshme në Maqedoni. Më pas është tentuar që të kalohej me procedura transiti nëpër vendin tonë.

Kamioni i mbushur me kanabis ka qenë transit nga Maqedonia për në Itali. Atij i janë bërë procedurat e transitit në Qafë Thanë. Me rregulloren e doganave, në rast tranzitimi, kontrolli bëhet vetëm në pikën e hyrjes.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Krimeve, kamioni ka hyrë në Qafë Thanë më 4 shkurt 2017, dhe më 5 shkurt është paraqitur në Portin e Durrësit. Por kamioni nuk është futur në skaner dhe as nuk është kontrolluar pasi u pa dokumentacioni i tij.

Mësohet se kamioni ka qenë rregullt, i plumbosur dhe i vulosur me vulën e Qafë Thanës dhe për këtë arsye, nuk iu bë më kontrolli në dalje. Ky duket ka qenë dhe shkaku që kamioni nuk është kontrolluar në Durrës, por që më pas u kap në Ankona.

Pala italiane ka nisur hetimet pro-aktive për rastin, dhe pas ndalimit të shoferit maqedonas të kamionit, po zbulohet edhe skema e trafikut të lëndës narkotike.

Sakaq, sipas të dhënave nga Prokuroria rezulton se kamioni nuk është regjistruar në sistemin TIMS në Qafë Thanë, por në Portin e Durrësit rezulton i regjistruar në dalje.

Nga këqyrja e librit të planizimit të shërbimit ka rezultuar se me datë 04.02.2017 në kohën kur ka hyrë në Shqipëri automjeti kamion, kanë qenë me shërbim në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë Pogradec disa punonjës policie, për të cilët Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila është pranuar nga ana e Gjykatës.

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për disa punonjës policie të Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”

Ata janë:
Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni
Ervin Kodra me detyrë kontrollor hyrje dhe dalje
Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje
Syrja Terziu si kontrollor në hyrje.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb