TIRANE- Zgjidhen 5 anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë. Në këtë detyrë janë emëruar Arben Dollapaj, Dritan Peka, Irma Balli, Gentian Osmani, mes tyre dhe Ramadan Troci.

Ramadan Troci, është një emër i përfolur dhe i njohur për firmosjen e vendimit për arrestimin e ish-Guvernatorit Ardian Fullani si dhe kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Sakaq, para pak kohësht Troci u transferua në prokurorinë e Vlorës. Pas një garë të fortë kandidatësh, trupa e prokurorëve votoi për të riformatuar Këshillin e Prokurorisë, strukturës kryesore konsultative të Prokurorit të Përgjithshëm për rekrutimin, transferimin dhe procedimin e prokurorëve, si edhe për draftimin e akteve nënligjore, urdhrave e udhëzimeve të institucionit.

Nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, prokurorët e të gjithë Republikës së Shqipërisë shprehën mbështetjen e tyre me votim të fshehtë për zgjedhjen e pesë nga shtatë anëtarët e Këshillit të Prokurorisë, të cilët mbetën vakantë në përfundim të mandatit 3-vjeçar të anëtarëve të mëparshëm.

“Në bazë të nenit 11 të ligjit nr. 8737, dt. 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, (i ndryshuar), Këshilli i Prokurorisë përbëhet nga 7 anëtarë, tre prej të cilëve prokurorë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore; dy prokurorë nga Prokuroritë e Apelit, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, si edhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. Në procesin e zhvilluar ditën e sotme (e Premte, dt. 22.05.2015), trupa e prokurorëve ishte thirrur për të zgjedhur 5 anëtarët e Këshillit, prej të cilëve dy nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, dy nga Prokuroritë e Apeleve dhe një nga Prokuroria e Përgjithshme. Anëtarit të gjashtë nga radhët e prokurorëve, i cili vjen nga radha e Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore, është aktualisht në mesin e mandatit.

Para nisjes së votimit për anëtarët e rinj, Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla shprehu vlerësimet për Këshillin e Prokurorisë në largim, duke veçuar, ndër të tjera, dy prej angazhimeve kryesore të kësaj strukture; procesin e vlerësimit vjetor të Prokurorëve, i cili nisi në vitin 2013, si edhe draftimin nga ana e Këshillit të Kodit të Etikës, një dokument që u miratua më pas nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili parashikon normat e sjelljes dhe forcimin e integritetit të prokurorëve, si edhe penalitetet në rast shkeljeje të tij.”, citohet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa lidhur me Këshillin e ri të Prokurorisë, Llalla u përcolli si sugjerim prioritar, “angazhimin maksimal për të forcuar integritetin e trupës së prokurorëve. Të bashkëpunoni ngushtësisht me drejtuesit e prokurorive dhe Drejtorinë e Inspektimit për evidentimin e shkeljeve në radhët e prokurorëve dhe penalizimin e tyre. Po ashtu, do i sugjeroja Këshillit të Prokurorisë që të jetë plotësisht realist në vlerësimin periodik të prokurorëve, por edhe të drejtuesve të prokurorive”.

“Prokurori i Përgjithshëm u tregua i drejtpërdrejtë para trupës së prokurorëve, kur kërkoi prej tyre që të forcojnë më së pari luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe vetë institucionin. “Pavarësisht se prokuroria është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe, në fakt, rastet të suksesshme në përgjithësi në këtë drejtim ka pasur, gjithsesi, çdo ditë përballemi me perceptimin e opinionit publik mbi korrupsionin në drejtësi, ku ky vlerësim përfshin edhe organin e Prokurorisë. Natyrisht, ne jemi prokurorë dhe flasim vetëm në bazë të provave. Por, duhet të pranojmë se perceptimi nuk është krijuar nga asgjëja. Pra, qytetarët e kanë shqetësim se në shumë raste nuk gjejnë zgjidhjen e duhur në dyert e prokurorisë. Madje, ka raste ku pretendojnë se përfundimi i hetimeve nga prokurorë të ndryshëm bazohet në vlera financiare të dhëna në formë ryshfeti. E ritheksoj, personalisht jam i prirur të flasë vetëm në bazë të fakteve. Por, në këtë periudhë që po drejtoj Prokurorinë Shqiptare, janë nën hetim ose gjykim vetëm dy prokurorë për çështje korrupsioni ose fshehje pasurie. Dhe, duhet të pranojnë të gjithë bashkë se ky nuk është realiteti. Qytetarët flasin dhe ata duhet të dëgjohen me forcë. Për publikun, në Prokurorinë Shqiptare ka shumë të tjerë që janë përfshirë në veprime korruptive. Ne duhet të dëshmojmë se jemi në krahun e publikut, në çdo rast”, u shpreh Llalla.

Duke e vlerësuar Këshillin e Prokurorisë si një strukturë bazë për forcimin e integritetit në radhët e institucionit, Llalla u shpreh se “ky organizëm, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera, ka një rol kyç në forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe të ndikojë që Prokuroria Shqiptare të japë kontributin e saj real në forcimin e shtetit ligjor. Personalisht shpresoj që Këshilli i ri i Prokurorisë të jetë në lartësinë e duhur për të dhënë këtë kontribut të qenësishëm për institucionin dhe shtetin”, përfundoi Prokurori i Përgjithshëm. Në takim, përshëndeti edhe David Griese, përfaqësuesi i OPDAT-it, i cili theksoi rëndësinë e rolit dhe integritetit të prokurorëve në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. OPDAT-i ka dhënë dhe vijon të japë një ndihmesë të rëndësishme për zbatimin e Kodit të Etikës të Prokurorisë Shqiptare.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: