Xheni Halili do të jetë drejtoresha e re e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër. Pas afro dy muajsh pa një drejtues, Halili ka fituar konkursin e zhvilluar për këtë pozicion dhe tashmë do të jetë drejtuesja e re.

Drejtoresha e mëparshme, Lindita Haxhia, ka qenë e komanduar deri tani, pasi ajo ka marrë një post tjetër, përkatësisht si drejtoreshë e Shërbimit Parësor në Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, një strukturë e re kjo që sapo është krijuar. Xheni Halili vjen nga radhët e FRESSH Shkodër, ndërsa ka afro 4 vite në fushën e shëndetësisë.

Më herët, ajo ka qenë pjesë e Spitalit të Shkodrës dhe prej një viti ishte punonjëse në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, që tashmë do ta drejtojë. Pas fitimit të konkursit, ku konkurruan tre kandidatë, Halili pritet që të marrë emërimin.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është një institucion i rëndësishëm, për shkak të menaxhimit të situatës nga COVID-19, por dhe për faktin se Shkodra është një prej qyteteve më të prekura nga koronavirusi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb