Analisti David Philips propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri si e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet. Sipas tij procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, pa mundësi zgjedhjeje, e tipit që do të organizonte një parti-shtet. Analisti propozon gjithashtu edhe një rishikim të qasjes së administratës amerikane ndaj Shqipërisë, për të cilën thotë se ka mbyllur sytë përballë problemeve reale që po kalon vendi.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit analisti David Philips, ka një qëndrim tejet kritik mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet vendore në Shqipëri, prej qasjes së mazhorancës tek roli i opozitës. Ai thotë se 30 qershori nuk ishte tregues për një vend demokratik.

“Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme, nuk kishte zgjedhje. Këto janë zgjedhje të llojit që do të organizonte Ramiz Alia dhe Enver Hoxha. Shqipëria është kthyer në një vend me një parti shtet. Nuk ka mendim ndryshe. Nuk ka asnjë mundësi për opozitën për të shprehur pikëpamjet e saj”.

Kritikat e drejtorit të Institutit për Paqe në Universitetin Kolumbia në New York shkojnë dhe në adresë të qëndrimit amerikan lidhur me zgjedhjet. Zoti Philips ndan bindjen se Uashingtoni bëri një gabim duke mos pranuar mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në emër të stabilitetit për vendin. Duke i qëndruar fort logjikës se procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, analisti propozon ripërsëritjen e procesit.

“Ajo që duhet të kishte ndodhur, duhet të kishte qenë shtyrja e zgjedhjeve sipas rekomandimit të Presidentit Meta. Votuesit shqiptarë kanë nevojë të kenë një alternativë. Qeveria e SHBA-së duhet të këmbëngulë që ata të kenë një alternativë, përpara se t’i çertifikojnë zgjedhjet dhe të thonë se janë të lirë e të drejta. Ka ndodhur një shpërfytyrim i demokracisë nga qeveria shqiptare dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbyllur një sy lidhur me këtë. Mendoj se është për të ardhur keq që SHBA-ja e ka lejuar këtë të ndodhë. Këto zgjedhje duhet të ribëhen më 13 tetor. Duhet kaluar nëpër një proces të besueshëm për t’u përgatitur për zgjedhjet në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë një zë. Përndryshe këto zgjedhje do të shënojnë vdekjen e demokracisë në Shqipëri dhe jo një hap tjetër drejt demokratizimit të vendit”.

Analisti thotë se kryeministrit Edi Rama i takon përgjegjësia e madhe të vendosë për të ardhmen e vendit dhe nëse kërkon të lërë pas një trashëgimi pozitive.

“Edi Rama është përpara një zgjedhjeje të rëndësishme: ose do të hyjë në histori si autokrat i një shteti të dështuar ose do të këtë mundësinë të bëhet burrë shteti duke i bashkuar njerëzit, duke u ofruar atyre zgjidhje dhe falë forcimit të demokracisë. Zgjedhja i takon atij. Shpresoj që ai do të veprojë në emër të popullit dhe kombit shqiptar”.

Analisti thotë se ky duhet të jetë një moment reflektimi edhe për opozitën për shkak të atyre që ai i quan gabime strategjike, që nga bojkoti i parlamentit, tek ai i zgjedhjeve.

“Opozita duhet të reflektojë me kujdes lidhur me rolin e saj. Bojkotimi i zgjedhjeve nuk është politikë. Bojkoti nuk ka të bëjë me demokracinë. Nëse Partia Demokratike dëshiron të fitojë më shumë mbështetje nga njerëzit, ajo ka nevojë të paraqesë një alternativë të besueshme”.

Sipas zotit Phillips opozita duhet të hyjë në dialog me kryeministrin Edi Rama duke propozuar përsëritjen e zgjedhjeve si dhe të përcaktohen kushtet nën të cilat ky proces do të zhvillohet/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb