Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka deklaruar se zgjidhja për luftën në Ukrainë mund të gjendet brenda një jave.
Në një intervistë për median amerikane NBC, Lukashenko u shpreh se gjithçka varet nga SHBA-ja dhe Britania.
“Gjithçka varet nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Nëse nesër e kuptoni se duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të gjejmë një zgjidhje, më besoni, do të gjejmë një zgjidhje brenda një jave”, tha kreu i shtetit bjellorus.

Lukashenko theksoi se para së gjithash është e nevojshme të ndalet lufta dhe të kërkohet një rrugëdalje, në vend që të ripërsëritet se gjërat janë keq.

“Ne e dimë se gjërat janë keq. Lufta është gjithmonë e keqe. Jo shumë kohë më parë thashë se bota po kërkon një përgjigje se kush është fajtori. Shikoni, më mirë le ta gjejmë më vonë se cili është fajtori. Njerëzit po vdesin çdo ditë. Le të ndalojmë luftën dhe të arrijmë një marrëveshje. Dhe pastaj do të shikojmë se kush ka të drejtë dhe kush ka gabuar. Mendoj se kjo është një formulë normale”, deklaroi Lukashenko.

Presidenti bjellorus ka përmendur gjithashtu faktin që negociatat nisën e më pas u ndaluar. Ai shtoi se kjo mund të ketë ndodhur se presidenti ukrainas Zelensky nuk i merr vendimet në mënyrë të pavarur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb