7 ndeshje pa fitore, 6 humbje dhe 1 barazim, ishin shifra të frikshme për një klub si Man.City, shifra të pabesueshme që tronditën në themel të gjithë objektivat e “qytetarëve” këtë sezon. Më në fund, City reagoi, këtë e bëri e sfidën kundër Nottingham, me ekipin e Guardiola-s që triumfoi me rezultatin e pastër 3-0, një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund.

Tifozët e City-t shijuan një De Bruyne në versionin e tij më të mirë pasi belgu fillimisht dhuroi një assist për Bernardo Silva-n, me portugezin që në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Në minutën e 31-të, De Bruyne realizoi një kryevepër të vërtetë duke dyfishuar shifrat.

City menaxhoi me qetësi pjesën e dytë, ndërsa në minutën e 57-të ishte Doku që me një goditje shumë të bukur sigloi shifrat në 3-0. Fal këtij suksesi, City ngjitet në vendin e katërt në kuotën e 26 pikëve, por kreu mbetet ende larg, minus 9 pikë.

Më në fund, Guardiola rikthehet të buzëqesh: “Kishim nevojë për këtë fitore, lojtarët, unë, klubi. Luajtëm mirë, gjëja më e rëndësishme ishte që prishëm këtë rutine negative. De Bruyne? Jam shumë i lumtur për të, jam shumë i lumtur që është rikthyer”, u shpreh Guardiola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb