TIRANE- Një nga emrat më të njohur të artit dhe muzikës në Shqipëri, maestro Zhani Ciko ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa, ku ka folur për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo pak ditë më parë. Zhani Ciko kujtoi kohën kur është njohur me të dhe pikat e tij të forta.

“Jam njohur në vitet e vitit të dytë a të tretë të gjimnazit. Kur ishte i vogël ai kishte dëshirë të rrinte me ne të rinjtë. Ne kishim një top lecke dhe luanim shpesh. Madje edhe talentin për kompozicion nuk e shfaqi në atë kohë. Me kohë mora vesh se ai ndiqte shkollën e kulturës për fizarmonike. Më pas në Akademinë e Arteve studioi për muzikë dhe mori rrugën për krijimtari”- tha Ciko.

Ndër të tjera Ciko tha se Aleksandër Lalo është një zë i veçantë në këngën shqiptare dhe mbeti besnik ndaj asaj që përfaqësonte. Ciko u shpreh se Lalo shkruante atëherë kur ishte i sigurt për produktin e tij dhe pika e tij e fortë ishte muzika e filmit.

“Aleksandër Lalo është një zë i veçantë në këngën tonë. Ai mbeti besnik ndaj asaj që përfaqësonte. Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të sinqertë. Në Kukës një muzikant i njohur ishte çuar atje. Zef Gruda kishte krijuar artin atje dhe Aleksandër Lalo e vlerësonte shumë këtë. Muzika e tij është një muzikë lirike. Ai dhe në muzikën e luftës kishte shpirt krijues. Lalo futi frymën e muzikës së lehtë shqiptare. Në vitet e tranzicionit ai u largua për pak kohë dhe shkoi në Francë. Më pas erdhi me një këngë shumë të bukur dhe solli një frymë tjetër. Ai shkruante atëherë kur ishte i sigurt për produktin e tij. Ai donte që ato gjëra që të bënte ti sillte të sakta. Pika e tij e fortë ishte muzika e filmit”- tha maestro Zhani Ciko.
lalo_lalo_aleksanderr
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: