Kanë kaluar 4 vite nga dita kur në Shqipëri u arrestua një mbështetës i lëvizjes “Gylen” dhe Turqia kërkoi ekstradimin e tij, por drejtësia shqiptare ende nuk ka mundur të marrë një vendim për rastin. Bëhet fjalë për Mehmet Adiuzel, ish-mësues në shkollat e klerikut Fetullah Gylen.

Gjykata e Apelit firmosi për shtyrjen e seancës së radhës për njeriun që kërkohet nga autoritetet turke të drejtësisë, pasi nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet ai. 41-vjeçari babai i tre fëmijëve u arrestua në vendin tonë, për qëllime ekstradimi, pasi ndaj tij ishte firmosur një urdhër arresti nga gjykata e shkallës së parë Nevsehir, si i dyshuar për “pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur”.

Sipas të dhënave të përcjella nga autoritetet turke, dyshohet se Adiguzel është anëtar i organizatës FETO, e cilësuar terroriste, dhe ka mbajtur funksione në degët e kësaj organizate. Në dosje thuhet se ai ka lidhje me drejtuesit më të lartë lëvizjes terroriste, dhe ka pasur me ta marrëdhënieve në kontekstin e urdhrave e direktivave.

Ai ka përdorur një program komunikimi me shifër (bylock), përmes të cilit ka mbajtur lidhje me anëtarë të tjerë të lëvizjes “Gylen” si dhe ka frekuentuar disa herë një fshat turistik, fshat ku janë parë edhe anëtarë të organizatës.

Në 2019 kërkesa e Turqisë për ekstradimin e Adiguzel u rrëzua nga gjykata e Tiranës, pasi ish mësuesi i shkollave Gylen bëri kërkesë për azil në vendin tonë, çka ishte pengese për t’ia dorëzuar shtetit kërkues, derisa të merrej një vendim lidhur me pretendimet e tij.

Në praninë e një përkthyesi të gjuhës turke, ai deklaroi asokohe se kërkesa për ekstradim ishte tërësisht për qëllime politike dhe nëse do tu dorëzohej autoriteteve në Turqi, do tu nënshtrohej përsekutimeve, diskriminimeve, trajtimeve poshtëruese e çnjerëzore, me pretekstin se ka qenë mësues në shkollat e lëvizjes arsimore Gylen, e konsideruar në Turqi si lëvizje terroriste.
Ndërsa procesi vijonte, Adiguzel u dërgua nën masën e arrestit të shtëpisë.

Aktualisht çështja po shqyrtohet në Apel, por trupa gjykuese nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet personi që kërkohet nga Turqia, pasi ai nuk gjendet në banesë. Ndërkohë, që Komisioni i Shqyrtimit të Azilit, pranë Ministrisë së Brendshme, ende nuk e ka informuar gjykatën nëse e ka pranuar apo refuzuar kërkesën e turkut për azil politik. Për momentin vendndodhja e Adiguzel nuk dihet. Është e paqartë nëse ai është arratisur drejt vendeve të Bashkimit Europian, ku mund të ketë kërkuar statusin e azilit politik, apo ndaj tij e pjesëtarëve të familjes janë ndërmarrë veprime për një dëbim të mundshëm nga vendi ynë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb