Në emisionin “Në Shënjestër” drejtuar nga gazetarja Klodiana Lala, u trajtua zhdukja e ish-këshilltarit të Dritan Priftit, Eduard Belegu. Për të folur mbi këtë ngjarje, i ftuar në studio ishte gazetari i kronikës, Fredinand Dervishi.

Ky i fundit, e cilësoi ngjarjen si një krim të pastër, duke deklaruar se nga të dhënat e tij Belegu është vrarë dhe groposur. Sipas Dervishit, mbetet ende të paqarta se si në magazinën që mendohet se ka qenë për herë të fundit këshilltari nuk është gjetur asnjë provë, ndërsa shtoi se dyshuese mbeten mesazhet që janë dërguar të shoqes nga telefoni i tij.

“Unë do e fusja këtë lloj ngjarje te krimi perfekt, ose i pastër. Për paralelizëm mund ta krahasojmë me disa zhdukje të viteve të fundit, që kryesisht kanë të bëjnë për konflikte për drogën. Krimi i rrëmbimit të personit është krim pa vendngjarje. Ky krim për vendngjarje ka disavantazh për hetimin sepse nuk kemi një kufomë, nuk kemi të gëzhoja. Pas një krimi perfekt ku nuk ke asnjë provë është e vështirë të shkosh te zbardhja e çështjes. Ky është një krim i tillë. Është krim perfekt i bërë nga persona që kanë vendosur mendjen në punë, që e njihnin krimin etj. Asokohe ministri Dritan Prifti, ishte vendosur në shënjestër për publikimin e asaj videos. Dritani vetë kur e kam takuar unë ruhej. I ishte bërë psikozë që mund t’i bënin diçka të keqe. Kur bie një piramidë pushteti në Shqipërinë e kontrolluar nga politika, bien hetimet e tjera.

Jo vetëm Dritani ishte goditur, por po goditej edhe Belegu. Ruhej edhe ai. Kjo situatë të vendos në pozita të tjera përballë atyre personave që të duan të keqen. Eduard Belegu është vrarë dhe groposur diku për mendimin tim. Aq sa di unë ai ka shkuar të marrë një borxh të vjetër. Ka marrë makinën e vet, ka shkuar pranë stadiumit “Asllan Rusi”, ka takuar një person në “Range Rover”, është vendosur në një magazinë aty për punën e një borxhi mbi 100 mijë euro. Nga ky moment për këtë njeri nuk ka asnjë shenjë. Hetuesi ka ndjekur këtë linjë dhe ka kontrolluar këto magazina me dokumente, e nuk kanë gjetur asnjë shenjë. E vetmja gjë e dyshimtë në këtë histori mbeten sms”, tha Dervishi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb