News 24 mori disa herë kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, për të mësuar nëse ka nisur një hetim për zhdukjen e 11 DVD me pamjet filmike të incidentit me policinë në hyrje të tregut Agro-ushqimor, në Elbasan, vjeshtën e dy viteve më parë, por nuk mori përgjigje prej tyre.

Në rrugë jozyrtare burimet thanë se ka nisur një proces verifikimi, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me provat, përderisa dosja ka shëtitur në disa prokurori përgjatë dy viteve. Heshtja e ngarkon me përgjegjësi edhe me të madhe institucionin e akuzës, që deri tani do të duhet të kishte kryer të paktën një hetim administrativ, për të sqaruar situatën.

Nuk është e qartë nëse largimi i ekspertit ka lidhje me humbjen e provave të dosjes së shumëdiskutuar dhe hetimi i munguar nga ana e prokurorisë e bën edhe më problematike çështjen.

Shfaqja e pamjeve filmike në procesin ndaj Suel Çelës është ndër veprimet e fundit, përpara se prokuroria të shpallë pretencën për biznesmenin dhe miqtë e tij, Kelmend Xhaferri dhe Enea Bekteshi.

Në kohën kur dëshmitarët janë tërhequr përpara gjykatës, pamjet filmike janë provat e vetme e fortë kundër të pandehurve, por zhdukja në mënyrë të mistershme e tyre bën që të jenë të kontestueshme, edhe pse gjykata deklaroi se i ka rikuperuar. Në këto kushte, në mungesë të një hetimi të thelluar, cilado qoftë vendimmarrja e gjykatës për të pandehurit, gjasat janë të jetë e kontestueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb