Të gjithë personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhur me zhdukjen e dy 46- vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë lënë të lirë. Të shoqëruarit e moshës 24-64 vjeç, me banim në Sarandë, Vrinë e Konispol, shumica e të cilëve me precedentë të theksuar kriminalë për “prodhim dhe shitje narkotikësh”, “kultivim bimësh narkotike”, “trafik mjetesh motorike” etj. janë marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë Vlorë dhe në Komisariatin e Sarandës.

Edhe pse janë lënë të lirë, policia u ka mbajtur atyre telefonat celularë për ekspertim kompjuterik dhe disa automjete për ekspertim daktiloskopik dhe biologjik. Nga hetimet e deritanishme rezulton se Leonard Thodhori ka shitur një tokë tek persona me precedentë penalë dhe pas kësaj mes tyre ka lindur mosmarrëveshje lidhur me pronësinë dhe pagesat.

Thodhori rezulton edhe të jetë thirrur në mirëbesim në qytetin e Sarandës për të kontaktuar me persona me të cilët ka kryer marrëveshjen por që nuk banojnë në qytet. Konflikti mendohet të ketë agravuar edhe më tej çka ka futur në funksion planin e rrëmbimit të tij. Për këtë mund të jenë përdorur si karrem duke shfrytëzuar njohjen dhe mirëbesimin, persona që kanë arritur ta marrin pa forcë Thodhorin dhe shokun e tij Sulovari në automjetin “Mercedes-Benz” në orët e para të 7 prillit.

Pasi janë futur në automjet, dy 46-vjeçarët mendohet se kanë rënë pre e planit të rrëmbyesve të cilët me pas i kanë çuar drejt fshatit Vrinë për t’i ekzekutuar e groposur. Policia mendon se kemi të bëjmë me një strukturë të mirëorganizuar kriminale e cila është kujdesur të mos lerë gjurmë e prova. Kjo strukturë përbëhet nga persona, pjesëtarë të së cilës mund të jenë përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në vendin tonë, të cilat jo domosdoshmërisht kanë lidhje me njëra tjetrën dhe që fijet i lidh herë trafiku ndërkombëtar i drogës, herë konfliktet e pronësisë e herë motivet e dobëta e deri ato banale.

Policia nuk ka arritur t’i marrë në pyetje të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë në këtë vorbull ngjarjesh, pasi rezulton se disa nuk janë gjetur nëpër banesa. Megjithatë nën vëzhgim e madje edhe nën përgjim janë vënë shumë personazhe kyç në botën e krimit në Sarandë, për të cilët policia ka prej disa vitesh informacion mbi veprimtarinë kriminale të tyre.

Ndërkohë prej orëve të para të së hënës, në zonën e Vrinës dhe Kepit të Stillos në Bashkinë Konispol, kanë rinisur kërkimet nga dhjetëra forca policore e familjarë të Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqit, për gjetjen e trupave të dy të zhdukurve. Pavarësisht se Thodhori e Sulovari kanë mbi supe disa precedentë penalë, ngjarja që mendohet se u ka kushtuar jetën, lidhet direkt me Thodhorin për çështje pagese për pronën dhe indirekt me Sulovarin si viktimë kolaterale e kësaj historie, por pa asnjë lidhje me precedentët e kaluar të dy viktimave apo me veprimtarinë e përditshme të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb