Rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit dhe zhvillimet në Partinë Demokratike janë bërë temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi i”, në News24.

Avokati Spartak Ngjela tha në studio se në këto zgjedhje nuk shkuan të votonin 50% e qytetarëve, gjë që sipas tij tregon se shqiptarët refuzuan politikën anti-amerikane të Sali Berishës.

Ndërsa analisti Artur Zheji u shpreh se numri i lartë i atyre që nuk morën pjesë në votime, tregon se shqiptarët nuk e duan përçarjen brenda Partisë Demokratike, por duan një PD të bashkuar.

Pjesë nga diskutimet:
Ngjela: Rezultatet këtu nuk janë të sakta, se duhet të dimë abstenimet. Sa ka qenë PD në Shkodër e Durrësi në zgjedhjet e fundit të 25 prillit. Mbas atij fakti do shikojmë se çfarë ka ndodhur.

Zheji: Nëse numri i votuesve te zgjedhjet e përgjithshme ka qenë mbi 29 vota për PD, në Qarkun e Shkodrës, këto janë për Bashkinë Shkodër.

Ngjela: Njësoj është, bashkia është qark sot. Ka pasur shumë abstenime, dhe unë e kam thënë edhe më përpara. Jam i bindur që më ka dalë fjala, se pashë votat. PD nuk mund të ecë e të votojë si parti anti-amerikane. Nëse PD kalon anti-amerikanizëm, s’ka të djathtë shqiptare. Saliu është anti-amerikan. Nëse duan të ikin me Moskën, le të ikin ata. Ne jemi në një situatë të vështirë ndërkombëtare, që po na përkrah shumë. Rezistenca e Ukrainës është në favor të shqiptarëve. Berisha është ‘non grata’ në Amerikë. Fakti që vazhdon lojën në Shqipëri, është kundër Shqipërisë. Shqipëria është aleancë e ngushtë me Amerikën. Ai duhet të ikë nga skena politike tani. Do ishte katastrofë nëse e djathta do të ishte anti-amerikane. Se çfarë do të ndodhë tani, është punë e tyre. Nënkryetarët kanë dhënë dorëheqjen, do zgjidhen të rinj. Mua nuk më intereson lidershipi, më intereson që lideri i PD është pro-amerikan. Një pakicë e vogël në zgjedhje që ka vajtur te Saliu, është anti-amerikane, por interesi kombëtar nuk mund të pranojë anti-amerikan, se jemi në rrezik nga sllavët. Rama është me Saliun, jo se ka marrëveshje me të, por do ta ketë nga e djathta, që ta mundë sa herë do. Çështja qëndron se janë abstenimet shumë të mëdha, që po të kishin vajtur nga Basha, fitonte Basha. Qëndrimi politik i Bashës ka qenë pro-amerikan. Optika politike dhe fluksi i tij janë nga Basha, edhe këto që dhanë dorëheqjen. Ç’duhet mua Shtëpia e Lirisë, ajo është shtëpia e korrupsionit. Neve na rezulton që ka një abstenancë 50%, që ndihmojnë që e djathta nuk ka një lidership anti-amerikan.

Zheji: 68% e shqiptarëve nuk morën pjesë në këto zgjedhje. Në 32% kemi katër forca politike, PS, PD, Shtëpia e Lirisë dhe PSD. Ishin 4 me 1 kundër Bashës. Në Durrës ishin tre, PS, PD e Berisha. Nëse mbledhim shumën e numrave që mori Basha, numrave që mori Shtëpia e Lirisë, këto mbeten larg 50%, që do të thotë se edhe nëse bashkojmë votat, janë jofitues. Ndërkohë që mazhoranca ka dalë fituese me diferencë të konsiderueshme, ndoshta si asnjëherë tjetër. Duke lexuar këto shifra unë them se mund të jetë ajo që një pjesë e të djathtës kanë refuzuar të votojnë, për shkak se ishte Berisha në zgjedhje. Por, unë mendoj edhe se shqiptarët nuk e pëlqejnë përçarjen e PD, ata duan bashkimin e vërtetë të PD dhe kanë refuzuar të hyjnë në këtë klimë konfliktuale.

Ngjela: Përçarjen e bëri Berisha, doli jashtë partisë së tij me lëvizje joligjore. PD kishte një lidership, që ishte kjo ligjorja. PD ligjore është kjo që kemi sot, e cila mendon se është në krizë, por do të rregullohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb