Në studion e “Pikat mbi i” me gazetaren Ola Bruko, analistët Fatos Lubonja dhe Artur Zheji kanë komentuar një pjesë nga deklarata e Sali Berishës në Kuvendin e së shtunës, ku shprehej ndër të tjera se nuk ka gënjyer asnjëherë dhe se nuk e pranon gënjeshtrën për të vërtetë.

Zheji shprehet se Berisha e paraqet veten e tij si një njeri që nuk gënjen asnjëherë, duke e quajtur këtë një retorikë politike, nga e cila bota sot është shumë larg.

Zheji thotë se nga ana tjetër Edi Rama herë pas here bën “mea culpa” duke pranuar disa  gabime, edhe pse e bën vetëm për të “hedhur hi syve”.

“Doktori është njeriu që nuk gënjen asnjëherë, ashtu tha, s’ka komete këtu tani se salla e duartrokiti. Këto janë retorika politike, sot bota është larg kësaj mënyre, për fat të keq Rama është më modern, pranon të meta, por të paktën bën sikur një bën një “mea culpa”, ndërsa doktori këtë stil nuk e njeh, thotë se thotë të vërteta dhe gjithçka që thonë për të janë shpifje. E ndan me thikë për bardh e zi, ai është e bardha dhe të tjerët që janë kundër tij janë të zinj. Funksionon kjo gjë në Shqipëri, nuk është e meta vetëm e doktorit, por atyre që kanë qejf t’i shohin gjërat bardh e zi”, tha Zheji.

Nga ana tjetër, Lubonja e sheh këtë si sëmundje të vjetër, ndërsa thekson se na mungon aftësia për dialog me veten fillimisht.

“Kjo është një sëmundje e vjetër. Kjo është ndërprerje ose mosekzistencë e dialogut me veten ose me të tjerët. Ne na mungon aftësia për dialog me veten njëherë. Berisha se ka fare atë, as Rama se ka, por pak më koshient është Rama sa për tu shtirur se as ai s’ka dialog as me veten as me të tjerët. Dialogu dhe imponohet, por askush nuk ua imponon. Shqiptarët nuk e kanë këtë kulturalisht dhe ai përsërit modelin e stërgjyshërve që ai është i pari vendos dhe nuk vihet në diskutim”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb