Në emisionin “Pikat mbi i”“News 24” këtë të mërkurë, u diskutua mbi ecurinë e Partisë Demokratike dhe “betejës” së brendshme që po ndodh atje. Për të folur mbi këtë tematikë, të ftuar në emision, ishin dy analistët, Fatos Lubonja dhe Artur Zheji.

Ky i fundit, e cilësoi foltoren e Berishës dhe aksionin e tij, si luftë për pushtet. Nga krahu tjetër, Lubonja, është i mendimit që kushdo që do të vijë në krye të PD, duhet të zhvillojë protesta sistematike dhe të godasë oligarkinë dhe sistemin aktual.

Vetëm në këtë mënyrë sipas tij, PD mund të rikthehet në krye të vendit.

Pjesë nga biseda në studio:

Zheji: Doktori po shkon për të bashkuar dhe marrë atë që i përket në PD, a është ajo që po ndodh luftë për pushtet, apo është kthyer njeriu që do të vendosë drejtësi? Apo po kthehet njeriu që do përmbysë Ramën? Po t’i marrim të treja këto, mua kolona e parë më jep më shumë argumente. Kjo sepse kemi vetëkandidimin e doktorit. Kemi datën e një Kuvendi të ri, që ai mendon se anëtarësia do të marri një nismë. Kolona e dytë është që ai mori thikë pas shpine dhe këtë thikë kërkon t’ia ngulë atit që ia nguli thikën. Ai kërkon të zgjidhë problemet që janë krijuar në PD në 8 vite që ai s’ka qenë në krye të partisë. Figurat që janë larguar nga Basha rrinë nën hijen e Berishës, mua këta njerëz nuk më duhet se zgjidhin probleme. Unë mendoj se edhe nëse fiton doktori do të fitojë me gjysmë partie, e gjitha kjo më duket luftë për pushtet për të shkuar te marrja e partisë. Kur kemi të bëjmë me luftë për pushtet, ka një tjetër impostim debati dhe analiza. Basha ishte kandidatura më e mirë e Berishës në 2013, e po atë vit ai u katapultua po nga Berisha. Dorazi është doktori për Lulzim Bashës. Nëse ai ka luftuar për pushtet ka qenë me ortakëri të plotë me zotin Berisha.

Zoti Berisha si shihet nga ju si çlirimtar apo pushtues?

Lubonja: Unë mund të them për Berishën një mijë të zeza, por ngjarjen e shoh në kontekst. Shoh Berishë, Bashën, PD dhe analizoj pluset dhe minuset në raport për këtë luftë për pushtet dhe e dyta lufta për pushtet, se çfarë mund të sjellë më mirë fitorja e njërit prej tyre. Nga kjo do të kuptojmë në fund fare nëse nesër do të kemi një opozitë më të mirë, e të fortë, apo më të dobët. Gjithmonë ka luftë për pushtet, ai që ka pushtetin është Basha, ky kërkon t’ia marrë. Në këtë luftë për pushtet, do të marrim në analizë avantazhet dhe disavantazhet e njërit dhe të tjetrit. Unë gjykoj se Berisha, ka disavantazh më të madh që iu ka dhënë shansi për t’i bërë mirë shqiptarëve dy herë për të ardhur në pushtet dhe ka dështuar. Ka krijuar një figurë që ka probleme të mëdha me shqiptarët. Ky është disavantazhi i madh i Berishës. Një kthim i tretë i Berishës është një zhgënjim e zonës gri. Nëse flasim për një parti që ruan akoma një frymë, ky e ka 20% dhe ka një avantazh tjetër. Basha ka avantazhin e një figure të re, që te të huajt krijon idenë që tani ka ardhur një brez tjetër. Këtë avantazh e ka, por ka krijuar disa disavantazhe. Duke qenë figurë e dobët, delfin i Berishës. Ky e ka partinë copë-copë, me kundërshtarë nga e gjitha anët. Po ashtu ka dhe mungesën e kurajës, për t’i thënë Jo ndërkombëtarëve, sidomos në këto situata. Manipulohet me këtë idenë se po patëm Amerikën fitojmë. Por takimet e Berishës tregojnë që shqiptarët nuk e kanë problem këtë pjesë. Lidhur me fjalën peng, unë ndahem nga Berisha, në sensin që PD është peng i Ramës. Rama është njëra anë e këtij regjimi, ana tjetër është i gjithë oligarkia, krimi i organizuar që përbën regjimin. PD është peng i kësaj dopiomedalje. Nuk duhet përqendruar te Rama problemi, sepse nëse duan të vijnë në pushtet duhet të godasësh oligarkinë që Rama ka me vete. Edhe Berisha kursehet për të goditur oligarkinë që lidhet me PD, këtë s’e bën as Basha. Ata duhet të godasin oligarkinë, nëse nuk e kuptojnë këtë, as Basha, as Berisha nuk kthehet në pushtet.

Zheji: Ne jemi duke u marrë me fatin e PD dhe kemi lënë në lënie të lirë qeverinë. Nuk po merremi dot me ata, sepse radari jonë i analizës është zënë nga Berisha. Ai e ka marrë skenën politike, ai është aktori i parë që po prodhon lajm dhe vëmendje. Ai me të vërtetë merr planin e parë, por në foltoren e tij, ka më shumë sharje dhe analizë denigruese ndaj Bashës, se sa sulme ndaj Ramës.

Rikthimi i Berishës nuk do të ishte i suksesshëm?

Zheji: Unë te rikthimet nuk besoj. Pas ‘97-ën dhe ‘98-ës Berisha e pati shansin. Ai bëri një bashkim real dhe në 2005 e bëri. Në mandatin e parë besoj që e pati shumë të suksesshëm. Prodhoi ekonomi, dinamizëm. Në mandatin e dytë pati rënie, por u korrigjua me ardhjen në pushtet të alternativës. Zoti Basha ka qenë delfini i zotit Berisha. Askush nuk e beson që vendimet e marra nga zoti Basha kanë qenë të pa konsultuar me Berishën. Këto kontradita më bëjnë që kemi të bëjmë me një luftë të pastër për pushtet. Kaq i madh është vreri, sa që nuk ka forcë që e ndalon apo e ngadalëson doktorin.

Lubonja: Basha dhe Berisha janë dy figura që për të mbajtur kryesinë e partisë premtojnë dhe demonstrojnë dy qasje të ndryshme. U përdor fjala protestë nga Berisha. Nëse do të pranojmë që në Shqipëri është instaluar një regjim, nuk rrëzohet me mjete institucionale, formale, por ka nevojë për protesta, shkundje të fuqishme. Atëherë le të analizojmë momentin e sotëm. Mendoj se jemi akoma më keq me këtë lloj regjimi. Berisha premton protesta dhe ngritje të njerëzve ndaj saj, ndërsa Basha për arsye të nënshtrimit ndaj Ramës, sistemit, oligarkisë dhe ndërkombëtarët, thotë që këtë e rregullojmë me disa reforma dhe luftë parlamentare. Unë si vëzhgues i jashtëm them që kjo nuk mjafton. Duhet parë në kompleksitetin e vet ky raport. Të dy bashkë, ashtu sic kanë qenë në atë parti, Berisha me forcën unifikuese dhe Basha me imazhin e ri që kishte marrë partia, mund të kishin krijuar një PD më të fortë. Unë dua opozitë të përditshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb