Analisti Artur Zheji dhe Drejtori i Informacionit të “News24” Robert Rakipllari, të ftuar në emisionin “Pikat mbi i” , komentuan zhvillimin e samitit “Open Balkan”.

Takim i mbajtur në Beograd ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov.

Ndërsa u ndal tek deklarata e kryeministrit Rama i cili foli për rëndësinë e “Open Balkan”, analisti Zheji tha se kjo nismë u krijua për të marrë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit, por deri më tani është parë që nuk i janë bashkuar pjesa më e madhe.

Sidomos tani edhe me situatën politike në Maqedoninë e Veriut, në këtë nismë mbeten Shqipëria dhe Serbia.

Për Artur Zhejin tashmë kjo nismë nuk ka më qëllimin e mirë për të përfshirë sa më shumë vende dhe se sipas tij tashmë po i përjashton.

“Këtu bëhet fjalë për disa shtete…gjashtë shtete dhe këto duhet të bëjnë “Open Balkan”. Kur bën një organizatë me qëllim të mirë për të përfshirë sa më shumë vende dhe ato nuk të vijnë, ti nuk ke më qëllimin e mirë , por në fakt po i përjashton vendet. Domethënë kur ne të shkëlqejmë ato do të vijnë…Rama nuk është pushtuesi apo çlirimtari i Ballkanit, është një bashkim vullnetar, ata nuk bashkohen.. Nuk vjen Mali i Zi i cili ka pasur probleme shumë të mëdha…Kemi Bosnjën, që ka kërcënimin e një konflikti që po hapet…Kosova e përvëluar mosbesuese që nuk e njohin si shtet sovran nuk vjen…”, tha Zheji.

Nga ana e tij Rakipllari tha se kjo nismë ka hapur shumë debat jo vetëm brenda në Shqipëri, por edhe me Kosovën.

Gjatë bisedës në studio ai u shpreh se brenda “Ballkanit të Hapur”, ka më shumë mundësi që të ketë një bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në konceptin tim Ballkani Perëndimor që është me shumë probleme… Serbia është një vend që gjithmonë kemi pasur konflikte. Por të gjitha këto vendet kanë aplikuar për tu bërë pjesë e BE, pra kanë hapur negociata…dhe e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e BE. Çfarë po kërkohet në këtë kufi të hapur? Po kërkohet ai standard që vendet e BE e kanë… Këta liderë thonë se meqenëse BE ka konflikte të brendshme hajde të bëjmë Ballkanin e Hapur. Për mua argument i qëndrueshëm është ky: “Shqipëria dhe Kosova kanë bërë rreth 20 mbledhje të përbashkëta dhe asnjë prej tyre nuk është implementuar, është bërë vetëm propagandë. Ndërkohë brenda Ballkanit të Hapur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën bëhet realitet sepse pranohet nga të gjithë .”, tha më tej Rakipllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb